Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, do të takojë presidentin amerikan, Donald Trump, më 29 dhjetor për të diskutuar hapat e ardhshëm për ndërprerjen e armiqësive në Gazë, njoftoi sot një përfaqësues i qeverisë izraelite.
Ditën e djeshme më 7 dhjetor, Netanyahu tha se do të diskutojë me Trump fazën e dytë të planit amerikan për mbylljen e luftës në Gazë, që pritet të zhvillohet më vonë këtë muaj.
Ndërprerja e armiqësive mes Izraelit dhe Hamasit hyri në fuqi në muajin tetor.
Të dyja palët kanë akuzuar vazhdimisht njëra-tjetrën për shkelje të armëpushimit, ndërsa mbeten hapësira të mëdha për të diskutuar çështje thelbësore sipas planit të Trump për përfundimin e luftës, përfshirë çarmatimin e Hamasit, qeverisjen e Gazës pas luftës dhe krijimin dhe autorizimin e një force ndërkombëtare sigurie në këtë territor.
“Kryeministri do të takohet me Presidentin Trump më 29 dhjetor. Ata do të diskutojnë hapat dhe fazat e ardhshme dhe krijimin e një force stabilizuese ndërkombëtare për planin e armëpushimit,“ tha përfaqësuesja e qeverisë, Shosh Ben-Drosyan, gjatë një informimi online për gazetarët.
Shërbimi i Kryeministrisë njoftoi më 1 dhjetor se Trump e ka ftuar Netanyahu-n në Shtëpinë e Bardhë. Më pas, media izraelite raportuan se dy liderët do të takohen në Florida.
