Steve Witkoff, i dërguari special i Donald Trump, i cili ishte në Alaska të premten, u tha mediave amerikane dje se Rusia ka rënë dakord t’i lejojë SHBA-së dhe Evropës t’i japin Ukrainës garanci “të forta” sigurie, si pjesë e një marrëveshjeje të mundshme paqeje.

Por ende nuk është e qartë se çfarë forme do të marrin këto garanci.

Witkoff i tha CNN se në samitin e Alaskës u ra dakord që SHBA-ja dhe Evropa mund të “ofronin në mënyrë efektive një gjuhë të ngjashme me Nenin 5 për të mbuluar një garanci sigurie”.

Neni 5 është marrëveshja e NATO-s që përcakton se një sulm i armatosur ndaj një vendi anëtar konsiderohet sulm ndaj të gjithë 32 anëtarëve të tij. Klauzola e famshme thotë se vendet e NATO-s do të vijnë në mbrojtje të një aleati që sulmohet.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e përshkroi ofertën e garancisë së sigurisë nga SHBA-të si “historike”.

I ashtuquajturi “koalicion i të vullnetshëmve” – një grup aleatësh të Ukrainës, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, Francën dhe Gjermaninë – janë zotuar të mbrojnë paqen në Ukrainë sapo ajo të arrihet.

Ky grup ka sugjeruar se do të vendosë atë që qeveria britanike e ka përshkruar si një “forcë sigurie” sapo të mbarojë lufta, të cilën Downing Street tha se do të “ndihmojë në sigurimin e qiejve dhe deteve të Ukrainës dhe në rigjenerimin e forcave të armatosura të Ukrainës”.

Por, siç thekson korrespondenti ynë diplomatik Paul Adams, mbetet e paqartë se nga çfarë ose nga kush do të përbëhet saktësisht një forcë e tillë.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb