Presidenti amerikan Donald Trump ka njoftuar se ka hequr dorë nga vendosja e një tarife prej 20% për transportin detar në Ngushticën e Hormuzit, duke e zëvendësuar këtë masë me marrëveshje të reja investimi dhe bashkëpunimi ekonomik me vendet e Gjirit.
Në një postim në platformën e tij Truth Social, Trump deklaroi se vendimi erdhi pas bisedimeve me udhëheqësit e vendeve të Lindjes së Mesme, ndërsa theksoi se marrëdhëniet ekonomike mes SHBA-së dhe aleatëve të saj në rajon do të forcohen.
Sipas presidentit amerikan, në vend të tarifës së diskutueshme për anijet që kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit, vendet e Gjirit do të vijojnë me marrëveshje të mëdha tregtare dhe investime në ekonominë amerikane.
Trump pretendoi se këto investime do të sjellin kapital, fabrika dhe pajisje industriale në Shtetet e Bashkuara, duke krijuar miliona vende të reja pune me paga të larta për amerikanët. Në reagimin e tij, Trump vlerësoi gjithashtu rolin e ushtrisë amerikane në rajon, duke përmendur Sekretarin e Luftës Pete Hegseth, Kryetarin e Shtabit të Përbashkët Dan Kaine dhe komandantin e Komandës Qendrore Amerikane (CENTCOM), Admiralin Brad Cooper.
Sipas tij, prania ushtarake amerikane garanton që Ngushtica e Hormuzit do të mbetet e hapur për transportin ndërkombëtar detar. Megjithatë, presidenti amerikan bëri të qartë se kjo nuk do të vlejë për Iranin. Ai deklaroi se Uashingtoni po vazhdon një bllokadë të plotë që prek anijet që nisen nga ose mbërrijnë në portet iraniane, si dhe ato që transportojnë mallra iraniane.
Trump e justifikoi këtë masë si një mënyrë presioni ndaj Teheranit, duke akuzuar udhëheqjen iraniane për dhunë dhe politika që, sipas tij, e kanë çuar vendin drejt izolimit dhe krizës.
Çështja e Ngushticës së Hormuzit është kthyer në një pikë kyçe të tensioneve mes SHBA-së dhe Iranit, pasi ky korridor strategjik është një nga rrugët më të rëndësishme në botë për transportin e naftës.
Në fund të deklaratës së tij, Trump përsëriti qëndrimin se Irani nuk do të lejohet të pajiset me armë bërthamore, duke e cilësuar këtë si një nga objektivat kryesore të politikës amerikane ndaj Teheranit.
