Për shumë kohë, ish-kryeministri britanik Tony Blair u përfol se ishte i zgjedhuri nga Presidenti Trump për të “drejtuar” Gazën.
Por kundërshtimi i thellë midis vendeve arabe i dha fund kësaj. Ai mban një pozicion kyç në bordin e paqes, por nuk do të jetë figura kryesore në terren që do të çojë përpara planin e paqes në Gaza.
Në vend të kësaj, ajo punë e madhe i bie një njeriu më pak të njohur. Nikolay Mladenov, 53 vjeç, ishte ministër i jashtëm i Bullgarisë (2010-2012) dhe ministër i mbrojtjes (2009-2010). Ai gjithashtu kaloi kohë si anëtar i Parlamentit Evropian në grupin politik të Partisë Popullore Evropiane të qendrës së djathtë.
Presidenti Trump i ka kërkuar atij të mbikëqyrë drejtimin e Rripit të Gazës në terren si Përfaqësues i Lartë për Gazën, ndërsa sipas Sky News, Mladenov pëlqehet nga të dyja palët.
Si respektohet si nga palestinezët ashtu edhe nga izraelitët, të cilët zakonisht janë veçanërisht skeptikë ndaj kujtdo që lidhet me OKB-në.
Gjatë kohës së tij në Jerusalem, ai u pa si një diplomat i fortë që la një përshtypje të mirë te figurat kyçe të të dyja palëve.
Në vitin 2021, Presidenti Palestinez Mahmoud Abbas i dha Mladenovit Yllin e Madh të Urdhrit të Jerusalemit në shenjë mirënjohjeje për punën e tij për të çuar më tej paqen në rajon. Emërimi i tij do të shihet si një fitore për palën palestineze, e cila ishte shumë kritike ndaj Blair dhe e shqetësuar se emërimet e Trump do të anonin vetëm nga pala izraelite.
Mladenov pati gjithashtu një kontribut të rëndësishëm rajonal në ndihmën për të formësuar Marrëveshjet e Abrahamit të Trump, procesi i normalizimit diplomatik midis Izraelit dhe vendeve arabe.
Ai ka lidhje të ngushta me Emiratet e Bashkuara Arabe, pasi ka kaluar vitet e fundit në Gjirin Persik, të cilat do të jenë të dobishme dhe të rëndësishme për rindërtimin e Gazës.
Një burim arab shprehu shqetësim se Mladenov rrallë i ka kritikuar hapur izraelitët, por shtoi: “Ai e kupton ligjin ndërkombëtar dhe kufijtë e asaj që mund të bëjë.”
