Presidenti amerikan, Donald Trump njoftoi përmes një postimi në rrjetin e tij social, Truth, se i dërguari special i SHBA për misione të posaçme, Richard Grenell do të shërbejë si drejtor ekzekutiv i përkohshëm i Qendrës John F.Kennedy për Artet Performuese në Uashington.
Të premten Trump paralajmëroi se po punonte nga puna disa individë nga bordi, duke përfshirë kryetarin, David Rubenstein. Trump emëroi veten kryetar dhe tha se, së shpejti do të shpallë një bord të ri për Qendrën Kennedy. Anëtarët e vjetër i shkarkoi pasi u shfaq “Drag Show”, që sipas Trump “synon posaçërisht rininë tonë”.
“Jo më Drag Show, ose propaganda të tjera anti-amerikane – vetëm më të mirat. Ric, mirë se vini”, tha Trump në rrjetet sociale, teksa njoftoi emërimin e Grenell në detyrën e re. “Ric ndan Vizionin tim për një Epokë të Artë të Arteve dhe Kulturës Amerikane dhe do të mbikëqyrë punën e përditshme të Qendrës”, shtoi më tej shefi i Shtëpisë së Bardhë.

Qendra Kennedy, e cila merr fonde federale, shkruan Reuters, është një nga objektet kryesore të artit të vendit dhe ka gëzuar prej kohësh mbështetjen dypartiake dhe famë kombëtare. Presidentët emërojnë anëtarët e bordit të qendrës.
Që nga marrja e detyrës muajin e kaluar, Trump ka nisur një ndryshim masiv të qeverisë, duke pushuar dhe përjashtuar qindra nëpunës civilë dhe zyrtarë të lartë në agjenci, në hapat e tij të parë drejt zvogëlimit të burokracisë.
Gjatë mandatit të tij të parë në detyrë, Trump refuzoi të marrë pjesë në ceremoninë vjetore Kennedy Center Honors, e cila konsiderohet si çmimi më i lartë për arritjet në art. Në dhjetor, në shfaqjen e fundit ku mori pjesë ish-presidenti Joe Biden, drejtuesit e qendrës e bënë të qartë se Trump ishte i mirëpritur të vinte në të ardhmen.
Grenell së fundmi shkoi në Venezuelë si i dërguari i Trump për misione speciale dhe u kthye në SHBA pasi kishte siguruar lirimin e gjashtë amerikanëve.
(BalkanWeb)