Administrata e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, e njohur për skepticizmin e saj ndaj burimeve të energjisë së rinovueshme, njoftoi të enjten se po i jep fund një programi federal subvencionesh për instalimin e paneleve fotovoltaike në çatitë e qindra mijëra familjeve amerikane, veçanërisht në zonat e varfra.

Si pjesë e Aktit të Reduktimit të Inflacionit (IRA), një tekst vendimtar i promovuar nga administrata e ish-Presidentit Demokrat Joe Biden në vitin 2022, i dedikuar pjesërisht mbrojtjes së klimës, u krijua një program për të mbështetur panelet fotovoltaike, i cili pritej të përfitonte më shumë se 900,000 familje, përmes strukturave dhe procedurave të ndryshme.

Por fondet e alokuara për të u anuluan, me ligjin masiv të buxhetit të Donald Trump të miratuar nga Kongresi në korrik, tha dje Lee Zeldin, kreu i Agjencisë Federale të Mbrojtjes së Mjedisit (EPA). Ai shtoi nëpërmjet X se ky program subvencionesh po eliminohet.

Zeldin denoncoi gjithashtu “joefikasitetin” e programit për shkak të shumë “ndërmjetësve” midis qeverisë federale dhe përfituesve.

Sipas vlerësimeve nga qendra kërkimore Atlas Public Policy, vetëm 53 milionë dollarë u shpenzuan nga 7 miliardë dollarët e planifikuar fillimisht.

“Donald Trump dëshiron ta anulojë në mënyrë të paligjshme këtë masë për të mbrojtur fitimet e paturpshme të miqve të tij në industrinë e naftës dhe gazit”, tha në një deklaratë senatori Bernie Sanders, i cili e kishte propozuar programin.

Që nga janari, administrata Trump ka ndërmarrë hapa për të eliminuar subvencionet për projektet e energjisë së rinovueshme dhe për të lehtësuar eksplorimin dhe nxjerrjen e hidrokarbureve.

Ajo gjithashtu planifikon t’i japë fund rregulloreve mbi emetimet e gazrave serrë dhe kohët e fundit publikoi një raport që arriti në përfundimin se ndryshimi i klimës mund të jetë në të vërtetë i dobishëm.

 

(A.A/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb