Plani për të mbajtur një samit mes Donald Trump dhe Vladimir Putin në Romë, i propozuar lidhur me luftën në Ukrainë, ka dështuar pas kundërshtimit të Moskës. Burime diplomatike bëjnë të ditur se Rusia e refuzoi idenë duke e konsideruar Italinë “shumë të lidhur me Ukrainën”.
Sipas Corriere della Sera, më 7 shkurt, presidenti amerikan Trump telefonoi kryeministren italiane Giorgia Meloni, duke i propozuar mbajtjen e takimit në Romë të hënën. Meloni pranoi menjëherë dhe propozimi u diskutua disa orë më vonë në një takim të nivelit të lartë mes Italisë, Francës, SHBA-së, Gjermanisë, Britanisë, Ukrainës dhe Finlandës. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e mbështeti menjëherë idenë, por Moska u shpreh kundër.
Një tjetër pengesë është fakti që Putin ka një urdhër arresti ndërkombëtar të lëshuar nga Gjykata Ndërkombëtare Penale, çka kufizon opsionet për vendin pritës. Kremlini ka përmendur Emiratet e Bashkuara Arabe si një mundësi më të përshtatshme.
Ndërkohë, hipoteza e Vatikanit nuk është përjashtuar plotësisht, megjithëse aktualisht duket e pamundur. Selia e Shenjtë, e udhëhequr nga Papa Leo XIV, ka përsëritur gatishmërinë për të ndihmuar në ndërmjetësimin e paqes, duke kujtuar edhe sukseset e mëparshme, si lehtësimi i bisedimeve mes SHBA-së dhe Kubës në vitin 2014. Kardinali Matteo Zuppi vijon të jetë i dërguari i posaçëm për paqe, ndërsa kontaktet diplomatike nuk janë ndërprerë.
Pavarësisht vështirësive dhe tensioneve, Vatikani mbetet i hapur për të pritur një takim të mundshëm, edhe pse shanset për realizimin e tij mbeten të vogla.
(BalkanWeb)
