Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka thënë se ekziston një “shans i shkëlqyer” për një takim të dytë midis tij dhe homologut të tij rus, Vladimir Putin, këtë herë duke përfshirë edhe Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, por vetëm nëse takimi i parë të premten në Alaska “shkon mirë”.
Trump e bëri deklaratën gjatë një konference për shtyp nga Shtëpia e Bardhë.
“Nëse takimi i parë shkon mirë, do të doja që ju të caktoni një të dytë pothuajse menjëherë midis Putinit, Zelenskyt dhe meje, nëse ata do të më marrin mua. Nëse nuk marr përgjigjet që dua, nuk do të ketë një takim të dytë”, tha Trump.
Kur u pyet nëse do të kishte pasoja për Putinin dhe Rusinë nëse nuk do të binte dakord të ndalte luftën të premten, ai u përgjigj: “Pasojat do të jenë shumë serioze”.
Shefi i Shtëpisë së Bardhë më pas e përshkroi videokonferencën me Zelensky dhe udhëheqësit e Bashkimit Evropian si “shumë miqësore”.
(BalkanWeb)
