Presidenti amerikan Donald Trump këmbëngul se nuk do të pranojë asgjë më pak se pronësinë e plotë të Groenlandës, territor autonom i Danimarkës. Trump ka kërcënuar hapur se do të vendosë tarifa ndëshkuese ndaj tetë vendeve evropiane, nëse ato nuk pranojnë “shitjen” e ishullit Arktik Shteteve të Bashkuara.

Udhëheqësit e Danimarkës dhe Groenlandës kanë reaguar prerë, duke theksuar se Groenlanda nuk është në shitje dhe se populli i saj nuk dëshiron të bëhet pjesë e SHBA-së. Ndërkohë, Bashkimi Evropian po përgatit një përgjigje të koordinuar ndaj presionit amerikan.

Sipas Financial Times, kryeqytetet evropiane po shqyrtojnë vendosjen e tarifave ndaj produkteve amerikane me vlerë deri në 93 miliardë euro, ose kufizime të drejtpërdrejta për kompanitë amerikane. Këto masa po hartohen për t’u dhënë udhëheqësve të BE-së epërsi në takimet vendimtare me Trump në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, i cili nis sot.

Lista e tarifave ishte përgatitur që vitin e kaluar, por ishte pezulluar për të shmangur një luftë tregtare në shkallë të gjerë. Riaktivizimi i saj u diskutua të dielën nga 27 ambasadorët e BE-së, së bashku me përdorimin e Instrumentit Anti-Detyrim (ACI), që mund të kufizojë aksesin e kompanive amerikane në tregun e brendshëm evropian.

“Ekzistojnë mjete të qarta hakmarrjeje nëse kjo vazhdon… Trump po përdor metoda thjesht mafioze”, citohet të ketë thënë një diplomat evropian për FT, ndërsa burime të tjera theksojnë se strategjia e BE-së mbetet “karrota dhe shkopi”.

Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, deklaroi se tarifat amerikane do të dëmtonin rëndë marrëdhëniet transatlantike dhe janë të papajtueshme me marrëveshjet tregtare BE–SHBA. Ai theksoi se BE është e gatshme të mbrohet “kundër çdo forme shtrëngimi” dhe njoftoi thirrjen e një takimi të jashtëzakonshëm të Këshillit Evropian, me gjasë më 22 janar.

Ndër opsionet në tryezë është një paketë tarifash ndaj importeve amerikane me vlerë 93 miliardë euro, e cila mund të hyjë automatikisht në fuqi më 6 shkurt, si dhe përdorimi i ACI-së, që do të kufizonte tenderët publikë, investimet, aktivitetin bankar apo tregtinë e shërbimeve, një sektor ku SHBA ka suficit me BE-në.

Nga ana e tij, Trump deklaroi se Danimarka ka dështuar për vite me radhë të largojë “kërcënimin rus” nga Groenlanda. “Tani është koha dhe kjo do të bëhet”, shkroi ai në rrjetin Truth Social, duke shtuar se prania në rritje e Rusisë dhe Kinës e bën Groenlandën jetike për sigurinë e SHBA-së. Zyrtarë evropianë theksojnë se Groenlanda tashmë mbulohet nga garancitë e NATO-s.

Trump ka paralajmëruar vendosjen e tarifave nga 1 shkurti ndaj vendeve të BE-së, përfshirë Danimarkën, Gjermaninë, Francën, Suedinë, Holandën dhe Finlandën, si edhe ndaj Britanisë dhe Norvegjisë, derisa SHBA-së t’i lejohet të blejë Groenlandën – një veprim që është dënuar gjerësisht në Evropë si shantazh politik.

Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, e mbrojti qëndrimin e administratës, duke deklaruar se “dobësia evropiane” e bën kontrollin amerikan të Groenlandës thelbësor për stabilitetin global. Sipas tij, në përballjen gjeopolitike me Rusinë dhe Kinën, SHBA po “projekton forcë”, ndërsa Evropa “dobësi”.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb