Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaroi të premten se Uashingtoni nuk ka ndërmend ta njohë pavarësinë e Somalilandit. Në një intervistë për gazetën New York Post, Trump iu përgjigj shkurtimisht “Jo” pyetjes nëse SHBA do ta njihte këtë territor si shtet të pavarur, duke shtuar më pas: “A e di vërtet dikush se çfarë është Somalilandi?”.

Deklarata vjen në një moment tensionesh të shtuara pas vendimit të Izraelit për të njohur Somalilandin, një rajon i shkëputur i Somalisë, i cili deri më tani nuk është njohur zyrtarisht nga asnjë vend tjetër në botë. Ky hap ka shkaktuar reagime të forta nga qeveria e Mogadishut dhe shqetësim në disa vende të rajonit.

Somalilandi shpalli njëanshmërisht pavarësinë në vitin 1991, pas rrëzimit të regjimit ushtarak të ish-diktatorit Siad Barre dhe shpërthimit të luftës civile në Somali. Që prej asaj kohe, territori ka funksionuar në mënyrë autonome, me institucionet e veta, përfshirë monedhën, forcat e sigurisë dhe administratën shtetërore, duke ruajtur një stabilitet relativ krahasuar me pjesën tjetër të Somalisë.

Ndërkohë, Somalia vazhdon të përballet me kriza të thella politike dhe të sigurisë, si dhe me sulme të vazhdueshme nga grupi rebel islamist Al-Shabaab. Megjithatë, pavarësisht funksionimit de facto si një entitet i pavarur dhe pozicionit të saj strategjik pranë Ngushticës Bab el-Mandeb — një nga rrugët më të rëndësishme detare që lidh Oqeanin Indian me Kanalin e Suezit, Somalilandi mbetet i panjohur ndërkombëtarisht dhe i izoluar politikisht dhe ekonomikisht.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb