Presidenti amerikan, Donald Trump ka deklaruar se ‘ka ardhur koha që udhëheqës të rinj të merrnin kontrollin në Iran, pasi dhjetëra mijëra protestues kanë dalë në rrugë në vend, duke e vënë republikën islamike përballë një prej kërcënimeve më serioze ndaj legjitimitetit të saj që nga revolucioni i vitit 1979.
“Është koha të kërkohet një udhëheqje e re në Iran”, tha Trump në një intervistë për Politico.
Trump sulmoi drejtpërdrejt edhe udhëheqësin suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, i cili ka përfaqësuar pushtetin real në vend për 37 vitet e fundit dhe që më herët kishte sulmuar presidentin amerikan në rrjetet sociale.
“Ajo për të cilën ai [Khamenei] është fajtor, si udhëheqës i një vendi, është shkatërrimi i plotë i vendit dhe përdorimi i dhunës në nivele që nuk janë parë kurrë më parë”, tha Trump.
“Për ta mbajtur vendin funksional — edhe pse ky funksionim është në një nivel shumë të ulët — udhëheqja duhet të fokusohet në qeverisjen e vendit të tij siç duhet, ashtu siç bëj unë me Shtetet e Bashkuara, dhe jo të vrasë njerëz me mijëra për të ruajtur kontrollin. Udhëheqja ka të bëjë me respektin, jo me frikën dhe vdekjen”, tha Trump.
