Një zyrtar i lartë iranian u ka bërë thirrje të rinjve në vend të formojnë “zinxhirë njerëzorë” rreth termocentraleve, në një lëvizje që vjen në kulmin e tensioneve me Shtetet e Bashkuara.
Alireza Rahimi, i prezantuar nga televizioni shtetëror si sekretari i Këshillit Suprem të Rinisë dhe Adoleshentëve, u shfaq në një video-telefonatë gjatë një edicioni lajmesh, ku ftoi publikisht të rinjtë të dalin në terren.
Ai u bëri thirrje “të gjithë të rinjve, atletëve, artistëve, studentëve dhe profesorëve” që të mblidhen të martën në orën 14:00 pranë termocentraleve, duke i cilësuar ato si “pasuri dhe kapital kombëtar” që i përkasin të ardhmes së vendit.
Thirrja vjen pas paralajmërimeve të forta nga Donald Trump, i cili ka kërcënuar me sulme të mëtejshme ndaj infrastrukturës iraniane nëse Teherani nuk rihap Ngushtica e Hormuzit brenda një afati të caktuar.
Kjo nuk është hera e parë që përdoren taktika të tilla simbolike në rajon. Në të kaluarën, Irani ka organizuar protesta me zinxhirë njerëzorë rreth centraleve bërthamore gjatë periudhave të tensionuara.
Një precedent i ngjashëm historik vjen nga Lufta e Gjirit 1991, kur lideri irakian Saddam Hussein përdori civilë dhe shtetas të huaj si “mburoja njerëzore” për të penguar sulmet e mundshme ndaj objektivave strategjike.
