Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se Shtetet e Bashkuara  “nuk kanë pasur asnjë lidhje me sulmin ndaj Iranit, mbrëmjen e kaluar”, duke postuar një mesazh në rrjetin e tij social, Truth Social.

Ai gjithashtu lëshoi një paralajmërim të ashpër ndaj Teheranit që të mos përfshijë SHBA-në në konflikt.

“Nëse sulmohemi në çfarëdo forme, fuqia e plotë dhe forca e ushtrisë amerikane do të zbresë mbi ju në nivele që nuk janë parë më parë”, tha Trump.

Megjithatë, ai shtoi se një marrëveshje paqeje mes Iranit dhe Izraelit është e realizueshme: “Ne mund të arrijmë lehtësisht një marrëveshje mes Iranit dhe Izraelit dhe t’i japim fund këtij konflikti të përgjakshëm.”

Këtë pranverë, Trump kishte dhënë një afat prej 60 ditësh udhëheqësit suprem të Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, për të negociuar një marrëveshje bërthamore, duke paralajmëruar pasoja nëse nuk arrihej një marrëveshje. Gjatë asaj kohe, ai kishte kërkuar nga kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, që të shtynte çdo veprim ushtarak kundër Iranit për të krijuar hapësirë për diplomaci.

Pas fillimit të sulmeve të Izraelit ndaj Iranit të premten, Trump i tha CNN-it: “Nuk e di nëse e dini, por unë u dhashë atyre një paralajmërim 60-ditor dhe sot është dita e 61-të.”

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb