Presidenti amerikan Donald Trump ka shprehur kritika ndaj Vladimir Putinit, pas sulmeve të reja masive të Rusisë ndaj Ukrainës. Në një nga sulmet më të mëdha deri më sot, Rusia ka lëshuar në orët e vona të së dielës plot 355 dronë dhe 9 raketa, duke shkaktuar dëme të mëdha dhe të paktën 12 viktima civile, sipas njoftimeve të Forcave Ajrore Ukrainase.
Ky numër rekord i dronëve të përdorur nga forcat ruse shënon një përshkallëzim të ndjeshëm në konfliktin që po vazhdon prej kohësh mes dy vendeve. Sulmet janë kryer në disa qytete të Ukrainës, duke synuar infrastrukturën kritike dhe duke shkaktuar panik në popullatë.
View this post on Instagram
Donald Trump, presidenti i SHBA-së, në një koment të tij publik u shpreh: “Nuk e di se çfarë i ka ndodhur Putinit”, duke aluduar në vendime dhe veprime të papritura të liderit rus. “Ai është absolutisht i çmendur”, ka vijuar më tej Trump duke shtuar se “po vriten shumë njerëz kur nuk është e nevojshme dhe fjala nuk ishte vetëm për ushtarë”.
Ai paralajmëroi Kremlinin për pasoja të rënda nëse synon të pushtojë të gjithë Ukrainën.
“Gjithmonë kam thënë se ai dëshiron TË GJITHË Ukrainën, jo vetëm një pjesë të saj, dhe ndoshta kjo po rezulton të jetë e saktë, por nëse e bën, kjo do të çojë në rënien e Rusisë!”, ishte mesazhi i Trump.
Kritikat e Trump vijnë në një moment kur shumë shtete perëndimore po përpiqen të gjejnë mënyra për të ndaluar agresionin e Moskës dhe për të mbështetur Ukrainën.
Situata në terren mbetet e tensionuar dhe komuniteti ndërkombëtar po vëzhgon me shqetësim përshkallëzimin e konflikteve dhe rritjen e numrit të viktimave civile. Autoritetet ukrainase kanë bërë thirrje për mbështetje më të madhe ndërkombëtare dhe për sanksione më të rrepta ndaj Rusisë.
(BalkanWeb)
