Historiani Erald Kapri, i ftuar në studion e emisionit “Log.” në News24, komentoi situatën në rajon pas deklaratave të fundit të presidentit amerikan Donald Trump mbi marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kosovës.
Kapri theksoi se zgjedhja e figurave të caktuara konservatore në kabinetin e Trump pas fitores së tij dhe vetë deklaratat e presidentit tregojnë qartë rolin e administratës së tij në çështjen e konfliktit Kosovë-Serbi.
“Zgjedhja e figurave si Rubio në kabinetin e tij dhe deklarata e Trump ku tregon se Serbia është shtet agresor e pozicionin qartë rolin e administratës Trump në të ardhmen. Administrata Trump kërkon të mbyllë disa vatra konflikti që të ketë një pozicion më të hapur në frontin me Kinën,” tha Kapri mes të tjerash.
Ai sqaroi se ndërsa Kina kërkon më shumë kohë për t’u konsoliduar, Shtetet e Bashkuara do të veprojnë më shpejt në marrëdhëniet me vendet e tjera, përfshirë edhe Ballkanin, duke kërkuar stabilitet dhe zgjidhje të konfliktit mes Serbisë dhe Kosovës.
