Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se trashëgoi një situatë të vështirë në vend 11 muaj më parë, por se administrata e tij po e ndryshon rrjedhën e zhvillimeve. Këto komente ai i bëri gjatë fjalimit të tij drejtuar kombit.
“Ne ishim të mbingarkuar me emigrantë të paligjshëm, persona transgjinorë në sportet e grave dhe kishim marrëveshjet më të këqija tregtare”, u shpreh Trump, duke kritikuar politikat e paraardhësit të tij, Joe Biden. Sipas tij, situata ka ndryshuar ndjeshëm: “Tani keni një president që lufton për amerikanët dhe ne kemi arritur tashmë gjëra të mëdha”.
Duke folur për ekonominë, Trump tha se çmimet po bien me shpejtësi, megjithëse pranoi se ka ende punë për t’u bërë. Ai theksoi se pagat po rriten më shpejt se inflacioni dhe se vendi, sipas tij, “një vit më parë ishte i vdekur dhe i falimentuar, ndërsa tani nuk është më”.
Presidenti amerikan vuri në pah rolin e tarifave tregtare, të cilat i cilësoi si “fjalën e tij të preferuar”, duke thënë se ato kanë ndikuar në rritjen e investimeve. Trump përmendi shifrën prej rreth 18 trilionë dollarësh investime të njoftuara në Shtetet e Bashkuara në muajt e fundit.
Gjithashtu, ai njoftoi krijimin e një “dividendi luftëtari” për anëtarët e shërbimit ushtarak amerikan, të cilët, sipas tij, do të marrin një çek prej 1,776 dollarësh për Krishtlindje. “Ato tashmë janë dërguar”, tha Trump.
Në fund të fjalimit, presidenti bëri të ditur se së shpejti do të njoftojë një kryetar të ri të Rezervës Federale, i cili, sipas tij, beson në norma të ulëta interesi. Ky njoftim pritet të bëhet vitin e ardhshëm. Trump paralajmëroi gjithashtu një reformë agresive të tregut të strehimit, e cila do të prezantohet në vitin 2026.
