Donald Trump i ka kërkuar Presidentit të Koresë së Jugut, Lee Jae-myung, që të transferojë tokën ku ndodhen bazat ushtarake amerikane në pronësi të SHBA-së.

Në një takim me homologun e tij të Koresë së Jugut, ai u përpoq ta bindte atë të paguante më shumë në këmbim të pranisë së më shumë se 28,000 ushtarëve në territorin e tij.

“E dini, ne shpenzuam shumë para për të ndërtuar një bazë dhe pati një kontribut nga Koreja e Jugut, por do të doja të shihja nëse mund ta heqim dorë nga kontrata e qirasë dhe të marrim pronësinë e tokës ku kemi një bazë të madhe ushtarake”, tha presidenti amerikan brenda Zyrës Ovale të Shtëpisë së Bardhë, duke iu drejtuar homologut të tij të Koresë së Jugut, Lee Jae-myung, i cili ishte ulur pranë tij.

Trump nuk specifikoi se për cilën bazë po i referohej, por Kampi Humphreys në Korenë e Jugut është baza më e madhe ushtarake amerikane jashtë vendit, me një popullsi më të madhe se disa qytete të SHBA-së. Një zgjerim i kohëve të fundit kushtoi 10.8 miliardë dollarë, 90 përqind e të cilave u paguan nga qeveria e Koresë së Jugut, tha gjenerali Vincent Brooks, atëherë komandant i Forcave Amerikane në Kore (USFK), në një fjalim inaugurimi, raporton CNNi.

Tokat në Korenë e Jugut me baza ushtarake amerikane i përkasin qeverisë së Koresë së Jugut dhe u ofrohen Forcave të Armatosura të Shteteve të Bashkuara në Kore “falas”, shtoi e njëjta media.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb