Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka njoftuar se është arritur një marrëveshje që e cilësoi “historike” për çarmatimin e plotë të Hamasit dhe të të gjitha organizatave të tjera të armatosura në Rripin e Gazës.
Në një postim në platformën Truth Social, Trump e përshkroi marrëveshjen si një “hap monumental” drejt paqes dhe sigurisë së qëndrueshme, duke deklaruar se ajo hap rrugën për krijimin e një forme të re qeverisjeje në Gaza.
Sipas presidentit amerikan, territori do të kalojë gradualisht nën administrimin e një qeverie të re palestineze, e cila do të bashkëpunojë ngushtë me Këshillin e Paqes dhe do të ketë si mision mbështetjen e popullsisë palestineze.
Trump theksoi gjithashtu se Izraeli do të përfitojë “sigurinë që meriton”, duke argumentuar se Gaza nuk do të mund të përdoret më si bazë për sulme.
Sipas Trump, zbatimi i marrëveshjes do të realizohet përmes fazave të planifikuara me kujdes. Ai shpjegoi se, ndërsa procesi i çarmatimit avancon, forcat izraelite do të tërhiqen gradualisht nga Gaza.
Siguria në territor, sipas planit të paraqitur prej tij, do të garantohet nga një Forcë Ndërkombëtare Stabilizimi në bashkëpunim me një forcë të re policore palestineze, me synimin për të garantuar sigurinë e banorëve të Gazës dhe të vendeve fqinje.
Presidenti amerikan e lidhi këtë zhvillim me zbatimin e planit të tij 20-pikësh për Gazën, duke e cilësuar atë një moment vendimtar drejt stabilitetit në rajon.
Duke iu referuar situatës së një viti më parë, Trump kujtoi luftën, krizën humanitare dhe çështjen e pengjeve, duke deklaruar se është arritur “përparim historik”, megjithëse, sipas tij, mbetet ende shumë punë për t’u bërë.
Në përfundim të deklaratës së tij, Trump falënderoi Egjiptin, Katarin dhe Turqinë për rolin ndërmjetësues në negociata, si edhe ekipin e tij, të cilit i atribuoi arritjen e kësaj marrëveshjeje.

