SHBA- Presidenti Donald Trump do të kërkojë një taksë 20% mbi mallrat e importuara nga Meksika dhe do të përdorë të ardhurat për të ndërtuar murin përgjatë kufirit me Meksikë. Kështu tha të enjten në darkë zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë. Plani për taksën u njoftua pasi Presidenti meksikan anuloi vizitën e tij në Washington, pas një debati se kush do të paguajë për murin.
Shefi i ri i Shtëpisë së Bardhë nënshkroi të mërkurën një urdhër ekzekutiv për të ndërtuar një mur përgjatë kufirit jugor me Meksikën. Një nga premtimet kryesore të fushatës së Trumpit ka qenë që Meksika do paguajë për murin.
Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Sean Spicer, ju tha gazetarëve se Presidenti kishte diskutuar planin për taksën mbi mallrat e importuara nga Meksika me ligjvënësit, dhe se ata po konsiderojnë që taksa të përfshihet në një paketë reforme për taksat që po planifikon Kongresi Amerikan.
Ai shtoi më tej se një taksë e tillë mund të gjeneronte rreth 10 miliardë $ të ardhura nga taksat në vit.

(News24/BalkanWeb)
