Analisti i Deutsche Welle (DW), Auron Dodi, në një lidhje me studion e News24 ka komentuar zhvillimet e fundit mes Uashingtonit dhe Berlinit, në një kohë kur presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se po shqyrton një tërheqje të pjesshme të trupave amerikane.

Ndërkohë Kancelari i Gjermanisë Friedrich Merz theksoi lidhjen e fortë mes dy vendeve.

Sipas tij në Gjermani janë të stacionuar për momentin 36.400 ushtarë amerikanë, nga 86.000 ushtarë amerikanë që janë në Evropë.

Intervista e plotë:

News24: Çfarë vëmendjeje ka tërhequr në Gjermani deklarata e Presidentit Trump?

A.Dodi: Deklarata e Presidentit Trump është nga më të komentuarat këto ditë në mediat gjermane. Presidenti amerikan u shpreh në rrjetin e tij social të mërkurën se “SHBA po shqyrtojnë dhe vlerësojnë aktualisht një pakësim të mundshëm të pranisë së trupave në Gjermani.”

Në Gjermani janë të stacionuar për momentin 36.400 ushtarë amerikanë, nga 86.000 ushtarë amerikanë që janë në Evropë.

Deklaratën për një tërheqje të pjessshme, Presidenti amerikan e bëri pas një pohimi të kancelarit Merz, se SHBA veprojnë “pa strategji” në Iran. Trumpi u përgjigj se Merzi nuk di për se po flet, dhe “nuk është çudi që Gjermania i ka punët kaq keq, si në ekonomi, ashtu edhe në pikëpamje tjetër.”

Pohimin për SHBA dhe Iranin, kancelari Merz e shpjegoi para mediave edhe me fjalët se bllokada e Ngushticës së Hormuzit ka “ndikim të drejtpërdrejtë në furnizimin tonë me energji” dhe “një ndikim masiv në performancën tonë ekonomike”.

Nga ana tjetër, Presidenti Trump deklaroi edhe në mandatin e parë se do të tërheqë trupa nga Gjermania, pasi Gjermania nuk investonte sa duhet në mbrojtje. Në fund tërheqja nuk u zbatua.

Si reagoi qeveria gjermane ndaj paralajmërimit të Trumpit?

Kemi reagime të qeta të liderëve kryesorë gjermanë. Kjo edhe sepse kjo administratë amerikane e ka bërë të qartë se do të zbatojë më në fund atë që deklarohet që prej Presidentit Obama: një fokusim të SHBA në Indo-Paqësor. Presidenti Trump e ashpërsoi tonin kundër Evropës sapo u kthye në pushtet.

Njëkohësisht, sipas gazetës gjermane Die Ëelt, as Pentagoni, as pala gjermane nuk kishin planifikuar reduktim konkret të trupave amerikane në Gjermani. Por në Gjermani ka me sa duket të paktën një parapërgatitje mentale.

Kështu, ministri i Jashtëm gjerman, Johann Ëadephul tha se “ne jemi të përgatitur për këtë; e diskutojmë nga afër dhe në mënyrë konfidenciale në të gjitha organet e NATO-s”. Ai tha se edhe Forcat e Armatosura Gjermane po përgatiten për ndryshime të mundshme. Në këtë kuadër, Ëadephul-i tha se”ne duhet të marrim më shumë përgjegjësi”.

Deklarata e Uashingtonit u bë kur Komandanti i forcave amerikane në Evropë dhe Afrikë sapo vëzhgoi në Münster të Gjermanisë një stërvitje të përbashkët. “Një shenjë e mirë”, sipas kancelarit Merz, që shtoi se “unë personalisht e kam veçanërisht për zemër këtë partneritet transatlantik.”

Cili është misioni i trupave të SHBA në Gjermani?

Që nga lufta e ftohtë Gjermania i ka parë trupat amerikane këtu si mbrojtje për vendin, kjo është e pamohueshme.

Por ish-ushtarakë të lartë amerikanë në Gjermani janë shprehur qartë se misioni kryesor i trupave amerikane në Gjermani është t’u shërbejnë interesave amerikane. Këtë e përsëriti tani edhe një ekspert i njohur ushtarak gjerman, Nico Lange. Ai kujtoi se “këto baza… ndër të tjera, mbështesin operacionet e SHBA në Lindjen e Mesme dhe projeksionin e fuqisë amerikane në mbarë botën.” Forcat në Gjermani janë vendimtare, për praninë ushtarake globale të Uashingtonit dhe për frenimin bërthamor.

Kongresmenë amerikanë dhe ekspertë gjermanë e marrin seriozisht paralajmërimin e Presidentit Trump. Njëkohësisht, ministri i Jashtëm gjerman, Ëadephul nuk parashikon që amerikanët të tërheqin bazat e mëdha që këtu. Ai tha se ato u shërbejnë “sigurisë sonë”, po aq sa sigurisë së SHBA.

Cilat vlerësohen si bazat më të rëndësishme të SHBA në Gjermani?

Ministri i Jashtëm gjerman e kishte fjalën për bazën e Ramstein-it, për spitalin e Landstuhl-it dhe për poligonin e Grafenëöhr-it. Baza Ajrore Ramstein p.sh. është nga më të mëdhatë e Forcave të SHBA-së në botë, në funksion që nga viti 1952. Ramstein-i është me të vërtetë një pikë nevralgjike për ushtrinë amerikane, jo vetëm në Evropë.

Kancelari gjerman Merz nuk i ka ndaluar fluturimet e avionëve amerikanë prej aty drejt Iranit, ndryshe nga vendet e tjera, si Spanja apo Italia. Kjo megjithëse në të kaluarën, ka pasur disa padi të qytetarëve në Gjykatën Kushtetuese Federale, për përdorimin e dronëve kamikazë nga Ramsteini – pra nga Gjermania – pa një mandat të OKB-së.

Rajoni është shumë i rëndësishëm edhe për spitalin ushtarak amerikan në Landstuhl. Aty kurohen ushtarë amerikanë nga e gjithë bota, pas misioneve. SHBA tani po investojnë pranë Landstuhlit rreth 1.6 miliardë dollarë për një spital të ri, më të madhin e ushtrisë amerikane jashtë SHBA.

Kurse Grafenwöhri është poligoni më i madh dhe më modern stërvitor i amerikanëve jashtë SHBA.

Stacionimi i trupave amerikane në Gjermani shoqërohet edhe me faktorë ekonomikë, apo jo?

Po, forcat amerikane janë një faktor i pamohueshëm ekonomik, për rajonet në tri lande federale, Rheinland-Pfalz, Baden-Ëürttemberg dhe Bavari. Ushtria amerikane punëson direkt apo indirekt mijëra punëtorë vendas. Vetëm baza ajrore e Ramstein-it gjeneron çdo vit qindra miliona euro në paga dhe kontrata.

Por ekspertë gjermanë tërheqin vëmendjen se realitetet ekonomike vlejnë për të dyja palët. Ata e shohin një zhvendosje të trupave amerikane në shtete fqinje, si në Poloni, thuajse të pamundur në plan afatshkurtër apo afatmesëm. Kjo pasi për të strehuar ushtarët amerikanë, së bashku me familjet e tyre, amerikanët kanë investuar në një infrastrukturë shumë të madhe e të kushtueshme në Gjermani.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb