Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaroi se administrata e tij është në bisedime me Kubën, por theksoi se prioritet mbetet përfundimi i situatës me Iran.
Duke folur për gazetarët në bordin e avionit presidencial Air Force One, Trump u shpreh se negociatat me Kubën janë duke vazhduar, por se Uashingtoni do të përqendrohet fillimisht te zhvillimet në Iran.
“Po flasim me Kubën, por do të përfundojmë me Iranin përpara Kubës,” deklaroi ai.
Ndërkohë, presidenti kuban Miguel Díaz‑Canel konfirmoi të premten se mes dy vendeve po zhvillohen bisedime, të cilat synojnë zbutjen e tensioneve dhe gjetjen e një zgjidhjeje për mosmarrëveshjet e kahershme.
Trump theksoi gjithashtu se shumë nga mbështetësit e tij në Floridën Jugore presin ndryshime në marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Kubës pas dekadash armiqësie politike.
Ai i është referuar disa herë ishullit që nga janari, kur ushtria amerikane rrëzoi ish-presidentin venezuelian Nicolás Maduro dhe e solli në SHBA për t’u përballur me akuza për trafik droge.
Për shumë vite, Venezuela ka qenë një nga mbështetëset kryesore financiare të Kubës. Trump u shpreh se zhvillimet e fundit mund të çojnë drejt një marrëveshjeje së shpejti.
“Mendoj se shumë shpejt ose do të arrijmë një marrëveshje, ose do të bëjmë atë që duhet të bëjmë,” tha presidenti amerikan.
