Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha të mërkurën se nuk ishte i shqetësuar për rritjen e çmimeve të karburantit në SHBA për shkak të sulmeve ndaj Iranit dhe hakmarrjes iraniane në vendet e Lindjes së Mesme , duke theksuar në një intervistë ekskluzive me Reuters se përparësia e tij ishte operacioni ushtarak.

“Nuk jam aspak i shqetësuar për këtë,” tha ai kur u pyet për rritjen e çmimeve të benzinës. “Ato do të ulen shumë shpejt sapo të mbarojë kjo. Dhe nëse rriten, le të rriten. Por kjo është shumë më e rëndësishme sesa rritja pak e çmimit të benzinës.”

Presidenti amerikan kishte përmendur së fundmi një afat kohor prej 4-5 javësh në lidhje me operacionin ushtarak kundër Iranit. Megjithatë, analistët politikë dhe ushtarakë e kundërshtojnë këtë vlerësim, duke theksuar se qeveria amerikane ende nuk e ka sqaruar se cili është qëllimi përfundimtar i operacionit, në një kohë kur lufta po përhapet në Lindjen e Mesme.

Në intervistën që dha për Reuters, Trump tha se nuk po shqyrtonte mundësinë e lirimit të një pjese të rezervave strategjike të naftës të SHBA-së, ndërsa shprehu siguri se Ngushtica e Hormuzit – rruga strategjike detare për transportimin e naftës, pranë brigjeve të Iranit – do të mbetej e hapur, pasi flota iraniane është “në fund të detit”, siç vuri në dukje ai.

Çmimet e naftës në tregjet ndërkombëtare janë rritur me 16% që nga fillimi i luftës të shtunën.

Në Shtetet e Bashkuara, çmimi mesatar i benzinës është rritur me 27 cent nga java e kaluar në 3.25 dollarë për galon, sipas Shoqatës Amerikane të Automobilave. Mesatarja është 15 cent më e lartë se vitin e kaluar.

Nga ana e tij, Trump thotë se çmimet “nuk janë rritur shumë”.

Shtëpia e Bardhë po e merr si të mirëqenë që sulmet ndaj Iranit – dhe problemet që pasuan me stacionet e benzinës – do të përfundojnë së shpejti.

Megjithatë, analistët politikë thonë se nëse rritja e çmimeve të karburantit vazhdon për një kohë të gjatë, kjo mund t’i dëmtojë republikanët në zgjedhjet e mesit të mandatit të nëntorit, në të cilat është në lojë kontrolli i Kongresit të SHBA-së. Votuesit janë tashmë të pakënaqur me koston e lartë të jetesës dhe politikat ekonomike të Trump.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb