Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, la të hapur mundësinë që Shtetet e Bashkuara të mbajnë ose shesin naftën që kanë sekuestruar në det të hapur të Venezuelës të hënën , ndërsa deklaroi gjithashtu se do të ishte “e zgjuar” që Presidenti i vendit , Nicolas Maduro, të jepte dorëheqjen. Duke folur me gazetarët, Donald Trump nuk e fshehu se presioni në rritje amerikan mund të çojë në zhvillime politike në Venezuelë. I pyetur nëse qëllimi i Uashingtonit është të largojë Maduron nga presidenca, ai u përgjigj se “ndoshta mund të ndodhë”, duke shtuar se “kjo varet nga ai”. “Mendoj se do të ishte e zgjuar për të ta bënte këtë. Nëse dëshiron të luajë ashpër, do të ishte hera e fundit që është në gjendje ta bëjë ndonjëherë”, tha ai.

Presidenti amerikan nisi një sulm të ashpër ndaj Maduros, të cilin e përshkroi si “jo mik të Shteteve të Bashkuara” dhe “një person shumë të keq”, duke pretenduar se qeveria e tij është e përfshirë në trafikimin e kokainës në SHBA. “Ai duhet të jetë shumë i kujdesshëm”, tha ai, duke përdorur gjuhë të ashpër.

Deklarata e Trump vjen në një kohë të aktivitetit të shtuar ushtarak amerikan në rajon. Fushata e presionit kundër regjimit të Maduros ka përfshirë një prani ushtarake në rritje dhe më shumë se dy duzina sulme ndaj anijeve që dyshohet se janë përfshirë në trafikun e drogës në Oqeanin Paqësor dhe Karaibe, pranë Venezuelës. Sipas autoriteteve amerikane, të paktën 100 persona kanë vdekur në këto sulme.

Në të njëjtën kohë, Trump ka njoftuar një “bllokadë” të të gjitha cisternave nën sanksione që hyjnë ose dalin nga Venezuela. Të dielën, Roja Bregdetare e Shteteve të Bashkuara filloi ndjekjen e një cisterne në ujërat ndërkombëtare pranë bregdetit të vendit, në një operacion që do të ishte i dyti brenda një fundjave dhe i treti në më pak se dy javë, nëse do të ketë sukses.

Lidhur me naftën që është sekuestruar tashmë, Trump tha se po shqyrtohen të gjitha mundësitë. “Ndoshta do ta shesim, ndoshta do ta mbajmë”, tha ai, duke shtuar se mund të përdoret edhe për të rimbushur rezervat strategjike të Shteteve të Bashkuara.

Këto zhvillime po intensifikojnë tensionet në marrëdhëniet Uashington-Karakas, me mundësinë e përshkallëzimit të mëtejshëm që mbetet e hapur në javët në vijim.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb