Presidenti Donald Trump dhe përkrahësit e tij në Kongres po kërkojnë të minojnë përpjekjet e drejtuara nga demokratët për të mbledhur dëshmi që do të çonin në ngritjen e një padie për shkarkimin e presidentit. Presidenti Trump i quajti hetimet thjesht një gjueti shtrigash kundër tij ndërkohë që republikanët e kanë cilësuar procesin hetimor si të fshehtë dhe jodemokratik. Kritikët thonë se këto përpjekje të republikanëve synojnë të heqin vëmendjen nga disa dëshmi të dhëna ditët e fundit në Kongres që kanë të bëjnë me marrëdhëniet e administratës me Ukrainën dhe që e dëmtojnë presidentin.

Në një fjalim të mërkurën në Pensilvani, presidenti lavdëroi politikën e tij për energjinë dhe rritjen ekonomike të vendit, por e preku çështjen e hetimit shkarazi, si pjesë e një kritike të përgjithshme kundër demokratëve.

“Ata nuk na mposhtin dot në kutinë e votimit, prandaj përpiqen të na mposhtin me mënyrën e vjetër, që nuk është shumë e hijshme. Ata janë një grup njerëzish të këqinj,” tha Presidenti.

Komentet erdhën disa orë pas një mëngjesi të trazuar në Kapitol, ku një grup ligjvënësish republikanë u përpoqën të hyjnë me forcë në sallën e Komisionit të Inteligjencës, ku po zhvillohej një dëshmi me dyer të mbyllura. Ligjvënësit nuk ishin anëtarë të komisioneve të kongresit që po zhvillonin hetimin dhe nuk kishin të drejtë të hynin, por ata argumentuan se çështja ishte tepër e rëndësishme dhe hetimet nuk mund të bëheshin me dyer të mbyllura, shkruan Voa.

“Ne po përpiqemi të kemi transparencë në këtë proces. Unë përfaqësoj afro një milion banorë të Floridës që më kërkojnë mendimet e mia për këtë proces. E megjithatë nuk mund t’u them atyre asgjë, përveç asaj që u është dhënë mediave”, tha republikani Mike Waltz.

Për shkak të kësaj ngjarjeje, dëshmia e planifikuar u shty për disa orë.

Kritikët thonë se rrëmuja u krijua për të hequr vëmendjen e publikut nga dëmi që shkaktoi dëshmia e dhënë para ligjvënësve të martën nga ish ambasadori amerikan në Ukrainë Bill Taylor. Diplomati shumë i respektuar, i përzgjedhur në këtë post nga vetë Sekretari i Shtetit Mike Pompeo, konfirmoi pohimin e një informatori se Presidenti Trump e kushtëzoi ndihmën amerikane për Ukrainën me gatishmërinë e saj për të bashkëpunuar në përpjekjet për të dëmtuar rivalin politik të zotit Trump.

“Në këta dhjetë muaj që kam në Kongres, kjo është dita ime më e shqetësuar deri më tani,” tha demokrati Andy Levin.

Dëshmia e gjatë e zotit Taylor i bëri të heshtin përkohësisht edhe disa prej anëtarëve të partisë së vetë Presidentit Trump. Kjo shkaktoi zemërimin e presidentit, i cili u shpreh me një koment në Twitter se republikanët që nuk e mbështesin atë janë më të këqinj se demokratët.

Të mërkurën, një gjyqtar federal urdhëroi Departamentin e Shtetit të zhbllokojë dokumentet që lidhen me Ukrainën, duke përfshirë komunikimet midis Sekretarit Pompeo dhe avokatit personal të Presidentit Trump, Rudy Giuliani.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb