Presidenti amerikan Donald Trump ka pritur sot në Shtëpinë e Bardhë kryeministrin e ri të Kanadasë, Mark Carney, në një takim të nivelit të lartë, që pritet të fokusohet te tarifat tregtare dhe marrëdhëniet dypalëshe mes dy vendeve.
Takimi zhvillohet në një kohë të ndjeshme për marrëdhëniet SHBA-Kanada, pas vendosjes së tarifave agresive nga administrata Trump muajt e fundit. Këto masa kanë tensionuar një nga aleancat më të qëndrueshme të Amerikës dhe kanë ndikuar në mënyrë të ndjeshme në ekonominë kanadeze. Ironikisht, tarifat ndihmuan pa dashje kryeministrin Carney që të forcojë pozitat e tij politike në vend.
Kanadaja është partneri i dytë më i madh tregtar i Shteteve të Bashkuara dhe një aleat kyç në fusha strategjike si siguria kombëtare, energjia dhe teknologjia. Prandaj, çdo përplasje në këtë marrëdhënie ka pasoja të drejtpërdrejta për të dyja vendet.
Takimi i sotëm vjen vetëm pak ditë pas fitores së Partisë Liberale në zgjedhjet federale në Kanada, me Carney-n në krye, një fitore që disa analistë e konsiderojnë si një “votë kundër” politikave të fundit amerikane.
Në fjalimin e tij pas fitores, Carney u shpreh me tone të forta ndaj administratës amerikane:
“E kemi kapërcyer tronditjen e tradhtisë amerikane, por nuk duhet t’i harrojmë kurrë mësimet.”
Të dy udhëheqësit do të përballen sot me sfidën për të gjetur pika të përbashkëta në një klimë politike gjithnjë e më polarizuese.
(BalkanWeb)
