Kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu, do të jetë lideri i parë i huaj që shkel në Shtëpinë e Bardhë këtë vit, ku pritet të takohet sot me presidentin amerikan, Donald Trump. Sipas mediave ndërkombëtare, ky takim synon të ndikojë zhvillimet në Lindjen e Mesme, ndërsa Netanjahu do të përpiqet të bindë Trump për planin e tij për Gazën.

Një nga shqetësimet kryesore lidhet me frikën se kryeministri izraelit mund të kërkojë mbështetje për aneksimin e Bregut Perëndimor dhe dëbimin e palestinezëve nga territoret e tyre. Fillimisht, Trump kishte sugjeruar që Egjipti dhe Jordania të pranonin rreth 1.5 milionë palestinezë të zhvendosur nga Gaza, një ide që nxiti reagime të ashpra nga bota arabe. Ministrat e Jashtëm të Arabisë Saudite, Emirateve të Bashkuara Arabe, Katarit dhe Jordanisë i kanë dërguar një letër Departamentit Amerikan të Shtetit për të kundërshtuar këtë plan, duke paralajmëruar rrezikun e destabilitetit dhe rritjes së radikalizmit në rajon.

Edhe Turqia ka dënuar këtë propozim, duke e cilësuar atë si një shkelje të së drejtës humanitare ndërkombëtare. “Jemi plotësisht kundër,” tha ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan.

Ndërkohë, Hamasi ka akuzuar Izraelin për refuzimin e fazës së dytë të armëpushimit, duke pretenduar se Tel Avivi po kërkon eliminimin e plotë të radikalizmit brenda grupit palestinez përpara çdo marrëveshjeje të re.

Trump ka marrë meritë për armëpushimin 6-javor që ndërpreu luftën 15-mujore mes Izraelit dhe Hamasit, duke çuar në lirimin e 13 pengjeve izraelite, 5 tajlandezëve dhe 583 palestinezëve të burgosur.

Megjithatë, Netanjahu po përballet me sfida të mëdha në politikën e brendshme, pasi një prej aleatëve të tij është larguar nga koalicioni, ndërsa një tjetër ka paralajmëruar tërheqjen nëse lufta ndaj Hamasit nuk rifillon.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb