Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka konfirmuar se ka refuzuar një propozim të Iranit për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe për përfundimin e luftimeve në Lindjen e Mesme.
Sipas raportimeve, propozimi iranian iu përcoll Uashingtonit përmes ndërmjetësve nga Katari gjatë zhvillimeve në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në New York. Teherani kishte propozuar rihapjen e ngushticës dhe përfundimin e armiqësive brenda shtatë ditësh.
Duke folur me gazetarët në Shtëpinë e Bardhë, Trump konfirmoi se e kishte refuzuar ofertën.
“Unë e hodha poshtë propozimin e tyre. E hodha poshtë marrëveshjen. Ata duan të bëjnë një marrëveshje për të hapur Ngushticën e Hormuzit menjëherë sepse po humbasin shumë keq. Ne po fitojmë tmerrësisht”, deklaroi Trump.
Presidenti amerikan tha se Irani kërkon rihapjen e menjëhershme të Hormuzit për shkak të humbjeve ekonomike që lidhen me mbylljen e ngushticës.
Ndërkohë, sipas raportimeve të mediave amerikane, Trump ka shprehur privatisht dyshime nëse Teherani do t’i përmbushte kërkesat e tij dhe ka diskutuar me këshilltarët mundësinë e një fushate të re ushtarake ndaj Iranit pas zgjedhjeve të mesmandatit në nëntor.
Më herët, një zyrtar amerikan i kishte cilësuar bisedimet e zhvilluara përmes ndërmjetësve si “pozitive dhe konstruktive”.
Gjatë deklaratave të tij, Trump u ndal edhe te marrëdhëniet me Kubën. Presidenti amerikan tha se pret që Uashingtoni dhe Havana të arrijnë një marrëveshje dhe u shpreh se nuk beson se do të jetë e nevojshme ndërhyrja ushtarake.
