Tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit për Ngushticën e Hormuzit janë përshkallëzuar sërish, pasi presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se SHBA ka “kontroll të plotë” mbi këtë pikë strategjike të Gjirit Persik.

Në një postim të ri në Truth Social, Trump pretendoi se bllokada detare amerikane ndaj Iranit është e hekurt dhe se Teherani nuk ka më kapacitetin për të sfiduar kontrollin amerikan mbi ngushticën.

“SHBA-të kanë kontroll të plotë mbi Ngushticën e Hormuzit. Mendoj se do ta mbajmë atë!”, shkroi Trump, duke e cilësuar bllokadën detare si një “Mur Çeliku”.

Presidenti amerikan vijoi me një seri akuzash ndaj Iranit, duke pretenduar se vendi nuk ka më marinë apo forcë ajrore funksionale dhe se Garda Revolucionare është “shkatërruar”. Trump kritikoi gjithashtu gjendjen ekonomike të Iranit, duke pretenduar se vendi është pa para dhe se inflacioni ka arritur në 300 për qind.

Deklaratat e Trump vijnë ndërsa Irani mban një qëndrim diametralisht të kundërt për statusin e Hormuzit. Teherani ka refuzuar pretendimin amerikan për kontrollin e ngushticës dhe ka deklaruar se ajo do të mbetet e mbyllur derisa SHBA të plotësojë kushtet e vendosura nga pala iraniane.

Irani: Hormuzi nuk do të hapet

Mohsen Rezaei, zyrtari i lartë iranian i sigurisë, ka përsëritur qëndrimin e Teheranit gjatë takimit me ambasadorin kinez. Sipas tij, Ngushtica e Hormuzit nuk do të rihapet derisa Shtetet e Bashkuara t’i japin fund luftës dhe bllokadës detare, të lirojnë asetet e ngrira iraniane dhe të bien dakord për një armëpushim më të gjerë në rajon, përfshirë Gazën dhe Libanin.

“Derisa të përmbushen të gjitha kushtet, ngushtica do të mbetet e mbyllur”, ka deklaruar Rezaei.

Përplasja e deklaratave mes Uashingtonit dhe Teheranit po shoqërohet edhe me rënie të ndjeshme të trafikut detar. Sipas të dhënave të publikuara nga Reuters, vetëm tetë anije kaluan nëpër Hormuz të martën, ndërsa trafiku ka rënë në nivele shumë të ulëta për shkak të pasigurisë dhe rrezikut të vazhdueshëm për transportin detar.

Ndërkohë, përpjekjet diplomatike për të gjetur një zgjidhje vazhdojnë. Pakistani dhe Katari janë përfshirë në përpjekjet për ndërmjetësim mes dy vendeve, por deri tani palët mbeten larg një marrëveshjeje të re. Reuters raportoi sot se SHBA dhe Irani vazhdojnë të jenë në mosmarrëveshje për rikthimin e marrëveshjes së përkohshme të paqes.

Ngushtica e Hormuzit është një nga pikat më të rëndësishme të transportit energjetik në botë dhe çdo kufizim i trafikut në këtë korridor ka ndikim të drejtpërdrejtë në tregjet e naftës dhe furnizimet globale. Me Uashingtonin që pretendon kontrollin e plotë dhe Teheranin që këmbëngul se ngushtica do të qëndrojë e mbyllur, përplasja për Hormuzin mbetet një nga pikat më të rrezikshme të krizës SHBA-Iran.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: