Presidenti i SHBA-së, Donald Trump urdhëroi tërheqjen e vendit të tij nga 66 organizata ndërkombëtare duke thënë se ato nuk u shërbejnë më interesave kombëtare të SHBA-së.

Një memorandum presidencial i nënshkruar nga Trump u drejtohet departamenteve dhe agjencive federale që të ndërpresin pjesëmarrjen dhe financimin për 31 entitete të Kombeve të Bashkuara dhe 35 organizatave joOKB “sa më shpejt të jetë e mundur”.

Shtëpia e Bardhë tha se organizatat veprojnë në kundërshtim me interesat kombëtare të SHBA-së, sigurinë, prosperitetin ekonomik ose sovranitetin.

Shumë nga organizatat e prekura janë aktive në fusha të tilla si politika e mjedisit dhe klimës ose barazia gjinore.

“Presidenti Trump po i jep fund pjesëmarrjes së SHBA-së në organizata ndërkombëtare që minojnë pavarësinë e Amerikës dhe shpërdorojnë paratë e taksapaguesve në axhenda joefektive ose armiqësore”, tha Shtëpia e Bardhë në një deklaratë.

Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, tha në X se Uashingtoni po tërhiqej nga ato që ai i përshkroi si “organizata ndërkombëtare anti-amerikane, të padobishme ose shpërdoruese”.

Ai shtoi se një shqyrtim i organizatave të tjera ndërkombëtare po vazhdonte.

Që kur u rikthye në detyrë, Trump ka ndërmarrë hapa për të nxjerrë SHBA-në nga disa korniza ndërkombëtare, përfshirë Organizatën Botërore të Shëndetësisë dhe agjencinë kulturore të OKB-së, UNESCO.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb