Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara nuk do të ndërmarrin sulm ndaj Iranit përpara zgjedhjeve të mesit të mandatit në SHBA, të cilat do të zhvillohen më 3 nëntor.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Trump tha se Uashingtoni po zhvillon bisedime që i cilësoi si produktive me Teheranin. Sipas tij, Irani ndodhet nën presion të madh, si në aspektin ekonomik, ashtu edhe në atë ushtarak.

Trump theksoi se, pavarësisht masave amerikane ndaj Iranit, qarkullimi i naftës nëpërmjet Ngushticës së Hormuzit vijon në nivele shumë të larta. Ai pretendoi se gjatë natës së kaluar nëpër këtë korridor kanë kaluar rreth 22 milionë fuçi naftë, duke shtuar se, sipas tij, asnjë prej tyre nuk kishte origjinë nga Irani apo destinacion Iranin.

“Ndërsa Irani është në një gjendje shumë të vështirë ekonomikisht dhe ushtarakisht, ne nuk do ta sulmojmë në asnjë moment para zgjedhjeve të mesit të mandatit më 3 nëntor”, deklaroi presidenti amerikan.

Në të njëjtin mesazh, Trump përsëriti edhe qëndrimin e tij të prerë për programin bërthamor iranian, duke theksuar se Teherani nuk duhet të pajiset me armë bërthamore.

Deklarata e tij vjen në një periudhë tensioni të shtuar në Ngushticën e Hormuzit, një prej korridoreve më të rëndësishme për transportin global të naftës. Sipas raportimeve të Reuters, Irani ka paralajmëruar për mundësinë e kufizimit të disa rrugëve të transportit të naftës nëpër ngushticë, ndërsa Shtetet e Bashkuara po vlerësojnë edhe masa të tjera ndaj Teheranit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: