Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha të hënën se ka shtyrë ultimatumin e tij për bombardimin e rrjetit elektrik të Iranit nëse nuk pranojnë marrëveshje me SHBA.
Në një postim në TruthSocial, Trump shkruan se ka dhënë urdhër për të shtyrë çdo sulm ushtarak kundër termocentraleve iraniane për pesë ditë, disa orë përpara një afati që kërcënonte përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktit, i cili tani është në javën e katërt.
Trump më vonë u tha gazetarëve se i dërguari i tij i posaçëm Steve Witkoff dhe dhëndri Jared Kushner, të cilët kishin negociuar me Iranin para luftës, patën diskutime me një zyrtar të lartë iranian deri në mbrëmje të dielën dhe do të vazhdonin të hënën
“Kemi pasur bisedime shumë, shumë të forta. Do të shohim se ku do të çojnë ato. Kemi pika kryesore të marrëveshjes, do të thoja, pothuajse të gjitha pikat e marrëveshjes.”
“E vetmja gjë që po them është se jemi në prag të një mundësie reale për të arritur një marrëveshje”, u tha ai gazetarëve përpara se të nisej nga Florida për në Memphis.
Ai nuk pranoi të thoshte se me kë po flisnin Shtetet e Bashkuara në Iran, por tha se nuk ishte Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ajatollah Mojtaba Khamenei. Trump tha se Iranit “i kanë mbetur disa udhëheqës”.
“Kemi të bëjmë me njeriun që besoj se është më i respektuari dhe udhëheqësi”, tha Trump.
Një gazetar i agjencisë amerikane të lajmeve Axios tha se Turqia, Egjipti dhe Pakistani ishin takuar me Witkoff dhe, veçmas, me ministrin e jashtëm iranian Abbas Araqchi.
Ministria e Araqchi-t tha se kishte iniciativa për të ulur tensionet, raportoi agjencia e lajmeve Mehr, duke shtuar se Teherani donte që Uashingtoni, si pala që filloi luftën, të ishte një pjesëmarrëse e drejtpërdrejtë.
Të shtunën, Trump kishte paralajmëruar se termocentralet iraniane do të shkatërroheshin nëse Teherani nuk do ta “hapte plotësisht” Ngushticën e Hormuzit për të gjitha anijet brenda 48 orëve. Trump vendosi një afat kohor rreth orës 7:44 pasdite EDT (23:44 GMT) të hënën.
