Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha të hënën se do të marrë një vendim “shumë shpejt” mbi shitjet e mundshme të reja të armëve në Tajvan , një veprim që ka zemëruar Kinën dhe ka rritur tensionet gjeopolitike në rajon.

Duke folur me gazetarët në Air Force One ndërsa kthehej në Uashington, Trump tha se kishte folur me Presidentin kinez Xi Jinping. “Fola me të. Patëm një bisedë shumë të mirë dhe do të marrim një vendim shumë shpejt”, tha ai, përpara vizitës së tij të planifikuar shtetërore në Kinë në prill.

Uashingtoni, megjithëse nuk e njeh zyrtarisht Tajvanin si shtet të pavarur, është mbështetësi i tij më i rëndësishëm diplomatik dhe deri tani furnizuesi i tij më i madh i sistemeve të armëve. Pekini e konsideron ishullin një provincë kineze dhe ka paralajmëruar vazhdimisht se shitjet e armëve nga SHBA-ja shkelin parimin “një Kinë” dhe dëmtojnë stabilitetin në rajon.

Çështja e armatimeve të Tajvanit mbetet një nga pikat më të ndjeshme në marrëdhëniet Sino-SHBA, me çdo vendim të ri që ka pasoja të menjëhershme diplomatike dhe strategjike.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb