Pas sulmeve ajrore të kryera nga Forcat Ajrore Amerikane kundër objektivave xhihadiste në veri të Nigerisë gjatë Ditës së Krishtlindjeve, Shtetet e Bashkuara kanë dërguar një grup të vogël ushtarësh në vendin afrikan. Lajmi u bë i ditur të martën, më 3 shkurt, nga kreu i Komandës Amerikane për Afrikën (AFRICOM). Presidenti amerikan kishte urdhëruar në dhjetor sulme ajrore ndaj objektivave që Uashingtoni i përshkroi si pozicione të Shtetit Islamik në Nigeri, duke paralajmëruar se veprime të tjera ushtarake amerikane në rajon mund të pasonin.

Sipas gjeneralit Dagvin R. M. Anderson, komandant i AFRICOM, personeli ushtarak amerikan ndodhet në Nigeri për të ndihmuar forcat lokale në luftën kundër grupeve terroriste, përfshirë ISIS-in. Ai theksoi se ushtarët amerikanë “posedojnë aftësi unike”, por nuk dha detaje të mëtejshme mbi natyrën e misionit apo numrin e trupave të dislokuar. Reuters kishte raportuar më herët se SHBA-të kishin kryer fluturime mbikëqyrëse mbi Nigeri që të paktën nga fundi i muajit nëntor.

Gjenerali Anderson sqaroi se dërgimi i ekipit amerikan erdhi pas një marrëveshjeje të ndërsjellë mes Uashingtonit dhe Abuxhës, sipas së cilës nevojitej një angazhim më i madh për të luftuar terrorizmin në Afrikën Perëndimore. “Kjo ka çuar në rritjen e bashkëpunimit mes vendeve tona, përfshirë vendosjen e një ekipi të vogël amerikan me aftësi specifike nga Shtetet e Bashkuara”, deklaroi Anderson gjatë një konference për shtyp.

Nga ana tjetër, ministri nigerian i Mbrojtjes, Christopher Musa, konfirmoi se një ekip amerikan po operon në Nigeri, por pa dhënë detaje të mëtejshme mbi misionin e tyre. Vendosja e trupave amerikane vjen në një kohë kur administrata Trump ka akuzuar autoritetet nigeriane për dështim në mbrojtjen e komuniteteve të krishtera nga sulmet e militantëve islamikë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: