GREQI-Kryeministri grek Aleksis Cipras iu ka bërë thirrje grekëve të votojnë duke u përgjigjur me njw ‘JO’ në referendumin e së dielës, por ka theksuar disa herë porosinë që njerëzit të jenë të bashkuar dhe të respektojnë pikëpamjet e njëri-tjetrit.
“Para kutive të votimit të veprojmë me përgjegjësi, të respektojmë pikëpamjet e kundërta, të jemi të bashkuar për të parë të ardhmen tonë të përbashkët”, shkroi Tsipras në llogarinë e tij në Twitter. Ai shkroi gjithashtu se marrëveshja që i ofrohet popullit grek nuk është një marrëveshje e qëndrueshme dhe ripërsëriti se një ‘JO’ në votim, nuk është thyerje me Evropën. Ai shton se “raporti i FMN justifikon vendimin për refuzim” dhe e konsideron referendumin si mënyrën e vetme për një borxh të qëndrueshëm. “Të dielën nuk votojmë për të ardhmen e vendit në euro.
Nuk mund të pranojmë një marrëveshje që anashkalon borxhin. Është koha e përgjegjësisë dhe demokracisë”, shkruan Tsipras. Ai shigjeton edhe kundërshtarët e tij kur bën thirrje që të heshtin sirenat e alarmit për fatkeqësi. “T’i themi ‘jo’ fushatës së frikës dhe ndarjes. T’i themi ‘jo’ ultimatumit dhe shantazhit.
T’iu themi ‘jo’, atyre që mbjellin panik që t’ju pengojnë të vendosni. Me përgjegjësi votoni për veten dhe të ardhmen!”, përfundon postimet e tij në Twitter kryeministri grek.
(a.n/BalkanWeb)
