NGA ANILA JOLE*
GREQI- Kryeministri grek Aleksis Tsipras udhëton drejt Moskës për një takim me presidentin rus Vladimir Putin. Sipas zyrës së shtypit të ministrisë greke, në axhendën e bisedimeve mes dy politikanëve, do të jenë tema si tregtia, turizmi dhe energjia.
Vizita e Tsipras në Moskë është e përgatitur mirë dhe pala greke ka shpresa të mëdha për të patur përfitime konkrete.
Sipas burimeve, pritet që Vladimir Putin të njoftojë heqjen e embargos mbi produktet bujqësore greke, ato qipriote dhe hungareze. Por kritike për Greqinë është edhe çështja e e gjobave që duhet të paguajë kompania greke e gazit DEPA, për gazin natyror. Të dyja vendet synojnë përforcimin e bashkëpunimit në sektorin e agrikulturës dhe turizmit si dhe të zhvillimit të gazsjellësit të ri “Turkish Stream”.
Por ajo që shqetëson diplomatët është se përshëndetja e ngrohtë mes Putin dhe Tsipras, përfaqëson diçka shumë më të rëndësishme sesa gazi dhe produktet greke. “Frikë e madhe, sipas fjalëve të një zyrtari të lartë, është që Rusia do të zgjasë kredinë e shpëtimit në këmbim të një vetoje greke mbi sanksionet ndaj Moskës, një veprim që do të godiste unitetin e Perëndimit në çështjen e Ukrainës”.
(m.k/BalkanWeb)
