Në protestën e zhvilluar sot në Sheshin “Skënderbej” në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), një prej protestuesve ka bërë një deklaratë të pazakontë dhe me peshë historike.

Duke folur për mikrofonin e News24, ai tha: “Kam stërvitur Hashim Thaçin. I kam dhënë mësim për luftën me mina. Është një fushë e madhe më vete. Ndihem shumë i lumtur që shoh këta njerëz nga gjitha trevat shqiptare. Më vjen keq që për një luftë të drejtë, për gjysmën e kombit, ata vuajnë në burgje.”

Ai tregoi se ka qenë një nga trajnerët ushtarakë të Hashim Thaçit, një prej figurave kyçe të UÇK-së dhe më vonë President i Kosovës, që aktualisht ndodhet në paraburgim në Hagë.

Protesta e sotme mblodhi qytetarë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe diaspora, të cilët shprehën mbështetjen e tyre për UÇK-në dhe ish-krerët e saj që po gjykohen në Dhomat e Specializuara në Hagë. Mes flamujve shqiptarë, pankartave dhe thirrjeve për drejtësi, u theksua ndjenja e bashkimit kombëtar dhe domosdoshmëria për të mbrojtur vlerat e luftës çlirimtare.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb