Flitej prej kohësh për një krisje në raportin mes Cozman dhe Tunës. Menjëherë pas arrestimit të reperit për disponim të lëndëve narkotike, thashethemet për një ndarje të mundshme u forcuan edhe më shumë. Dhe në fakt, kjo ngjarje duket se ka pasur shumë ndikim në marrëdhënien mes dy artistëve. Zëra të ndryshëm flasin se ndalimi i Cozman e ka irrituar këngëtaren e famshme, e cila e ka konsideruar si prishje imazhi. Flitet gjithashtu se persona të afërt e kanë këshilluar këngëtaren që të distancohej nga i dashuri i saj, këshillë që siç duket Tuna e ka ndjekur, pasi gjatë muajve të fundit shfaqjet në shoqërinë e reperit kanë qenë gjithnjë e më të rralla.

Por, problemet në çift kanë filluar që në muajt e parë të këtij viti. Konfliktet e njëpasnjëshme janë agravuar, kur Cozman është fotografuar në Dhërmi në shoqërinë e një vajze tjetër, ndërsa Tuna është “braktisur” nga labeli Babastars, në të cilin është përfshirë 2 vjet më parë.

Nuk janë shumë të qarta arsyet e “përjashtimit” të Tunës nga ky label, por ish-menaxheri i saj Dekorim Sahiti ka konfirmuar se këngëtarja nuk është pjesë e Babastars, madje duke mohuar edhe faktin të ketë qenë ndonjëherë më parë.

“Me Babastars Tuna nuk ka pasur asnjëherë lidhje, përveç lidhjes që ka pasur me Cozman”, ka thënë Sahiti, i cili vazhdon të jetë menaxheri i Cozman. Sa i takon ndikimit të tij dhe të labelit në ndarjen e Tunës dhe Cozman, ai mohon faktin, ndërsa shprehet se, “Cozman vazhdon të jetë në label, ashtu siç ka qenë gjithmonë. Megjithatë, kohëve të fundit për shkak të angazhimeve të shumta jam takuar shumë pak me të. Ndonëse jam menaxheri i tij, sa i takon jetës private nuk përfshihem dhe nuk i di”, ka thënë për “Bluetooth” Dekorim Sahiti.

E teksa asnjë nga të dy protagonistët nuk është prononcuar në lidhje me ndarjen, flitet se ajo ka ardhur me kërkesë të Tunës, e cila siç mund të shihet nga profili i saj në “Instagram” nuk është penduar aspak. Këngëtarja ka shkuar me pushime me nënën e saj, ndërsa ka publikuar edhe disa foto vërtetë provokuese ku duket në formën e saj më të mirë.

Nga ana tjetër, nuk mund të themi të njëjtën gjë për Cozman, i cili po e vuan ndarjen. Pak ditë më parë reperi ka shkruar në “Instagram” një shprehje që besohet se i është dedikuar pikërisht të dashurës së tij. “Nëse dikush dëshiron të shkojë, lëreni derën hapur për ta”, ka shkruar reperi.

Pasi i dha fund historisë me Tunën, Cozman është ngushëlluar në shoqërinë e miqve të tij, anëtarëve të Babastars, me të cilët ka kaluar një mbrëmje duke konsumuar alkool. Më tej ai ka udhëtuar nga Shkupi drejt Londrës, për të qëndruar me familjen e tij në këtë moment të vështirë.
(er.nu/Bluetooth/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: