Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha, në një deklaratë për mediat nga selia blu, ka deklaruar se masat e sigurisë ndaj Belinda Ballukut duhet të ishin më të rënda, pasi sipas tij veprimet që çuan në aferën e tunelit të Llogarasë dhe Unazës së Madhe të Tiranës, janë tipike të një organizate kriminale.

Ai ka kërkuar rikualifikimin e veprës penale nga ana e Prokurorisë së Posaçme.

“Ju duhet të dini se vetëm me tunelin e Llogarasë janë vjedhur 97 milionë euro të pastërta. Por unë u them ju se me unazën e Tiranës janë vjedhur të pastërta 300 deri në 320 milionë euro. Me aeroportin e Vlorës 140 milionë euro. I njëjti grup, e njëjta bandë, por që nuk cilësohet organizatë kriminale. Po më thoni ju çfarë dëmesh më të mëdha kanë bërë një grup kriminelësh ordinerë?

Cili ka bërë kaq shumë dëme kolosale në buxhetin e qytetarëve shqiptarë? Çfarë kushtesh duhet të plotësojnë këta që prokuroria t’i shpallë organizatë kriminale, përveçse faktit që janë zyrtarë dhe nuk do t’i quajë të tillë.

Ndaj dhe ata hidhen. Ndaj dhe kanë ndërsyer mediat e tyre si lukuni me akuza monstruoze, me akuza të turpshme se u bë grusht shteti, se po përmbyset Kushtetuta, se po përmbyset rendi kushtetuese, në një kohë kur ajo që është e pafalshme, është e papranueshme është se nuk janë kualifikuar si grup i strukturuar kriminal apo organizatë kriminale.

Dënoj me ashpërsinë më të madhe këtë qëndrim.

Kërkoj me urgjencë rivlerësimin, rikualifikimin e veprës së tyre.

Nuk mund të kalohet nga një vjedhje e madhe në një vjedhje tjetër të madhe.

U zhdukën 400 milionë euro të inceneratorëve.

Tani janë me qindra e qindra milionë të tjera dhe përsëri nuk kemi grup të strukturuar kriminal, nuk kemi organizatë kriminale në një kohë kur Edi Rama kryeson një organizatë të vërtetë kriminale që është qeveria e tij.”, tha ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb