Turi i Francës zhvilloi dje etapën e shtatë, Saint Malo – Mur de Bretagne, me distancë 197 km, ndërsa Tadej Pogacar tregi edhe një herë tregoi se nuk mund të mposhtet në finishe të tilla, duke regjistruar suksesin e 19-të në karrierë në evenimentin më prestigjioz të çiklizmit. Një triumf që e rikthen sllovenin pas 24 orësh te fanella e verdhë. Pogacar (UAE) triumfoi me kohën 4:05:39 pas një sprinti shumë të fortë kundër Jonas Vingegaard, me danezin e ekipit Visma, që ishte ai që mundi të mbante ritmin e kampionit në fuqi të Turit të Francës, duke u renditur në vend të dytë.
Më tej, me 2 sekonda vonesë nga kreu, finishin e kaloi britaniku Oscar Onley (Picnic PostNL), i cili plotësoi treshen e parë në garën e djeshme. Duke u kthyer te Pgacar, ai ishte thjesht i pamposhtur, teksa shënoi fitoren numër 101 në karrierë, fanellën e 42-të e verdhë dhe suksesin e tij e 13-të sezonal. Nota e vetme negative e garës së djeshme për kampionin slloven ishte Joao Almeida, një malorist kyç në ekipin e Emirateve të Bashkuara Arabe, i cili u rrëzua në finale dhe ka të ngjarë të detyrohet të tërhiqet.
Kjo ishte hera e 25-të që Pogacar dhe Vingegaard kanë përfunduar të dy në dy vendet e para në një garë. Për sa i përket renditjes së përgjithshme, Pogacar kryeson me 54 sekonda avantazh nga belgu Remco Evenepoel (Soudal Quick-Step). Më ej në vend të tretë ndodhet Kevin Vauquelin (Arkea – B&B Hotels), me 1 minutë e 11 sekonda diferencë dhe Vingegaard i katërti, me 1 minutë e 17 sekonda. “Jam shumë i lumtur, gjithçka ishte perfekte përveç rrëzimit të Joaos. Kjo fitore është për të. Gjërat shkuan sipas planit edhe sot. Narvaez dhe të gjithë shokët e ekipit bënë një punë të shkëlqyer, duke më mbajtur edhe mua të freskët në këtë vapë të madhe. Tani le të shpresojmë se mund ta mbajmë fanellën e verdhë për shumë ditë të tjera”, deklaroi pas suksesit të djeshëm Pogacar.
KRONIKA E GARËS – Etapa u zhvillua shumë lineare, ndërsa 5 çiklistë u shkëputën: Baudin, Thomas, Costiou, Cortina dhe Haller, më këtë të fundit që ishte i parë që ngadalësoi për shkak të ngërçeve. Kryesimi nuk fitoi asnjëherë vrull të mjaftueshëm për t’u dhënë shpresë sulmuesve. Një kthesë dramatike ngjarjesh pati 6 km para përfundimit, në zbritje, aty ku Almeida, vendimtar për Pogacar në ngjitje, Buitrago dhe Mas, përfunduan jashtë. Në fund Ëellens dhe Narvaez bënë një përpjekje të madhe për ta mbajtur Pogacar përpara dhe ishte shumë e lehtë për të në një ngjitje kaq të pjerrët dhe të thatë. Por nga ana tjetër nuk mungoi as përgjigjja e Vingegaard, me danezin që luftoi dhëmb për dhëmb deri në finish, por që duhej të kënaqej me vendin e dytë. Sot do të jetë radha për etapën e tetë, Saint Méen le Grand – Laval (171.4km), ndërsa beteja e parë e madhe malore do të jetë të hënën në Masivin Qendror.
