Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro u prit në Beograd nga homologia e saj, ministrja Tregtisë, Turizmit dhe Telekomunikacionit të Serbisë, Tatjana Matić në vazhdim të memorandumit në fushën e turizmit të nënshkruar disa javë më parë në Samitin e Ohrit.

Pas takimit bilateral, ministrja Kumbaro në konferencën për shtyp u shpreh se rritja me 110% e turistëve që kanë vizituar vendin tonë nga Serbia vitin e shkuar, është rezultat i komunikimit jo vetëm të sektorit privat, por edhe i institucioneve të vendeve tona në kornizën e Ballkanit të Hapur.

“Të dhënat na tregojnë se jemi në rrugën e duhur dhe nëse sektori privat, qytetarët tanë, performojnë shumë mirë në komunikimin e tyre turistik, është detyra jonë që ta mbështesim këtë ritëm. Unë kam ardhur në Beograd e shoqëruar jo vetëm nga një delegacion zyrtar, por edhe nga përfaqësues të sektorit privat të turizmit, siç janë përfaqësuesit e turizmit të hoteleve me 5 yje, kompanive të mëdha që prej  vitesh operojnë në Ballkan, përfaqësues të tregut të formimit profesional, duke dakordësuar me ministren Matić zgjidhje të përbashkëta të problemeve”, u shpreh ministrja Kumbaro, sipas së cilës turizmi nuk është thjesht një sektor, por është sektori më i rëndësishëm për ekonominë në Shqipëri. Gjithashtu Mirela Kumbaro përmendi edhe rastin e blogerëve serbë që aktualisht ndodhen në Shqipëri për të promovuar atraksionet turistike në Berat, Gjirokastër, Shkodër, Tiranë si një rast konkret i bashkëpunimit mes dy agjencive të turizmit.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Gjatë takimit mes ministres Kumbaro dhe ministres së Serbisë Matić u diskutuan bashkëpunime për një promovim të përbashkët në platformën digjitale turistike që Serbia po ndërton, bashkëpunim në kualifikimin e punonjësve të sektorit të turizmit dhe organizimet e përbashkëta që do të nisin nga shtatori me panairin e gastronomisë dhe të turizmit në Beograd.

“Ishte një takim shumë i mirë në të cilin folëm për hapat e përbashkët drejt një pune që synon tregjet e largëta si Azia, ku deri në fund të vitit Serbia pritet të ketë një fluturim të drejtpërdrejtë me Kinën. Nga kjo gjë përfiton i gjithë rajoni, pasi turistët nga tregjet e largëta e shohin rajonin si një të tërë “, tha ndër të tjera ministrja Tatjana Matić.

Në Beograd do të zhvillohet konferenca “Ide të reja për kohë të reja”, me pjesëmarrjen e agjencive të turizmit të Shqipërisë dhe Serbisë, turoperatorë nga dy vendet dhe përfaqësues të sektorit të turizmit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb