Ajo që konsiderohet se do të jetë turma më e madhe e mbledhur për një ngjarje sportive në mbi pesëmbëdhjetë muaj në Mbretërinë e Bashkuar po shkakton frikë tek tifozët në mbarë Europën. Finalja e Kampionatit Evropian të Futbollit Angli-Itali që do të mbahet të dielën në Londër pritet të bëjë bashkë mijëra tifozë edhe pse shifrat e infektimeve më Covid po rriten ndjeshëm.
Koreja e Jugut shënoi sot një rekord të ri të infeksioneve nga Covid-19 që nga fillimi i pandemisë dhe po ndërmerr masa për një valë të re nga infeksionet. Ndërkohë që Japonia vendosi ditën e djeshme të mos lejojë spektatorë në Lojërat Olimpike që do të mbahen në datat 23 Korrik deri me 18 Gusht në Tokio.
Sipas shifrave të fundit pandemia ka vrarë të paktën 4,004,966 njerëz në të gjithë botën që nga fundi i dhjetorit 2019. Shtetet e Bashkuara janë vendi më i prekur nga vdekjet dhe rastet, me 606,466 vdekje nga 33,788,896 raste të identifikuara, sipas vlerësimit të Universitetit Johns Hopkins.
