Një shtetas i huaj është rrahur për vdekje nga një turmë prej rreth 50 personash në Durban të Afrikës së Jugut, njoftoi policia.

Viktima, ende i paidentifikuar, besohet të jetë rreth 40 vjeç. Sipas hetimeve paraprake, atij iu afruan fillimisht dy burra anës rrugës, përpara se të sulmohej nga një grup më i madh. Ai u shpall i vdekur në vendngjarje.

Policia ka nisur hetimet për vrasjen, ndërsa motivi mbetet i paqartë. Zëdhënësi i policisë provinciale, Robert Netshiunda, i tha BBC-së se autoritetet nuk mund të spekulojnë mbi arsyet e sulmit dhe se informacionet e tjera do të bëhen publike pas verifikimit.

Ngjarja vjen pas një vale protestash kundër emigrantëve në Afrikën e Jugut, disa prej të cilave janë shoqëruar me dhunë. Në fillim të këtij muaji, dyqane dhe automjete u dogjën në Durban dhe në Soueto, pranë Johanesburgut.

Lëvizja “March and March”, një nga organizatoret e protestave, kishte vendosur fillimisht 30 qershorin si afat që të gjithë emigrantët pa dokumente të largoheshin nga vendi. Protestat përpara këtij afati u shoqëruan me raportime për sulme ndaj shtetasve nga vende të tjera afrikane.

Përballë frikës së përshkallëzimit të dhunës, Zimbabveja, Nigeria dhe Gana ndërmorën hapa për riatdhesimin e qytetarëve të tyre. Nigeria akuzoi autoritetet afrikanojugore për përgjegjësi në vdekjen e dy shtetasve të saj gjatë atij muaji.

Gana konfirmoi gjithashtu vrasjen e shtetasit Bashiru Isak, baba i tre fëmijëve, i cili u qëllua për vdekje në Kejp Taun gjatë demonstratave kundër të huajve. Ngjarja shkaktoi një përplasje diplomatike me Afrikën e Jugut, autoritetet e së cilës deklaruan se përmasat e dhunës ishin ekzagjeruar.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb