Turneu i Përfaqësueseve Rajonale që organizohet nga FSHF për moshat U-13, U-14 dhe U-15 ka mbërritur tashmë në fazën kulmore me takimet e fundit të luajtura këtë të mërkurë në Fier dhe në Kamëz, ku u përcaktuan edhe finalistët e grupmoshës U-13.

Ekipet e përfaqësueseve rajonale të Fierit, Korçës, Elbasanit dhe Gjirokastrës për moshën U-13 u përballën sot në ambientet e aneksit të stadiumit “Loni Papuçiu”, për të zgjedhur fituesen e kësaj grupmoshe, ndërsa edhe në Qendrën Stërvitore të Ekipeve Kombëtare në Kamëz, Tirana, Durrësi, Lezha dhe Shkodra u përballën për të përcaktuar finalistin e grupit të tyre.

Ndeshja e parë mes Lezhës dhe Tiranës u mbyll me fitoren e lezhjanëve, të cilët siguruan finalen e vogël pas penalltive. Në takimin shumë emocionues mes dy ekipeve, koha e rregullt u mbyll me rezultatin e bardhë 0-0, ndërsa nga pika e bardhë e penalltive u treguan më të saktë lezhjanët, të cilët triumfuan me shifrat 4-3. Edhe fituesi i ndeshjes tjetër u vendos nga penalltitë, me Shkodrën që mundi Durrësin me 11-metërsha me rezultatin 3-1 dhe kaloi në finalen e vogël të grupit, ku u përball me Lezhën.

Në ndeshjen finale, Shkodra mposhti Lezhën me rezultatin e ngushtë 2-1, një fitore që i siguroi biletën për në finalen e së enjtes përballë Fierit U-13. Sakaq, në ndeshjen për vendin e tretë dhe të katërt, Tirana triumfoi ndaj Durrësit me rezultatin e thellë 4-0.

Në takimet e zhvilluara në aneksin e stadiumit ‘Loni Papuçiu’, Fieri u shpall fitues i kësaj grupmoshe, pasi mundi Korçën fillimisht dhe në finalen e vogël ekipin e Elbasanit. Në ndeshjen e parë, Fieri barazoi me rezultatin 1-1 me Korçën në kohën e rregullt, por fierakët siguruan finalen pas 11-metërshave, ku fituan me shifrat e ngushta 5-4. Në takimin tjetër të grupit, Elbasani mposhti me rezultatin e thellë 4-0 skuadrën e Gjirokastrës.

Finalja e vogël e këtij grupi përfundoi me fitoren e thellë 5-0 të Fierit ndaj Elbasanit, në një ndeshje emocionuese dhe shumë të luftuar nga të dyja ekipet. Sakaq, në takimin për vendin e tretë dhe të katërt, Korça mundi Gjirokastrën me rezultatin 5-2.

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb