Turqia u ka thënë aleatëve të saj në NATO se Ankaraja do të mbështesë kandidaturën e kryeministrit aktual të Holandës, Mark Rutte, për të marrë postin e sekretarit të përgjithshëm të aleancës ushtarake perëndimore.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Turqisë, Oncu Keceli, tha se Ankaraja ka njoftuar diplomatët e aleancës në Bruksel për këtë zhvillim. Vendimi u bë publik pasi tre ditë më herët Rutte qëndroi në Turqi për të kërkuar mbështetje për kandidaturën e tij nga presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan.

“Sot ne informuam Brukselin”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Turqisë.

Shefi aktual i NATO-s, Jens Stoltenberg, është afër përfundimit të mandatit të tij. Ai ka qenë në krye të NATO-s që nga viti 2014.

Shtetet anëtare të NATO-s, Turqia dhe Hungaria, më herët kishin shprehur rezerva për kandidaturën e Ruttes dhe Erdogan gjatë konferencës të përbashkët për media me të ditën e premte nuk bëri asnjë zotim.

Zyrtarët e NATO-s duan që të zgjedhin pasardhësin e Stoltenbergut deri në fund të prillit, para se të nisin zgjedhjet evropiane nga 6 deri më 9 qershor.

Ata duan të shmangin përçarje për kreun e ri të NATO-s para samitit që do të mbahet në qershor në Uashington për 75-vjetorin e themelimit të aleancës.

 

(A.A/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb