Ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan, tha të martën se vendi i tij është gati të presë një raund të ardhshëm bisedimesh midis Ukrainës dhe Rusisë, duke shprehur shpresën se negociatat “do të çojnë shpejt në një armëpushim, të ndjekur nga një paqe e qëndrueshme”.

“Ne theksuam se jemi gjithmonë të gatshëm të organizojmë negociata. Ne e shohim këtë si një detyrë, jo vetëm për rajonin tonë, por edhe për paqen globale”, u tha Fidan gazetarëve në një konferencë të përbashkët për shtyp me homologun e tij rus Sergey Lavrov.

“Ne i kemi përcjellë kërkesën tonë që negociatat e ardhshme të zhvillohen në Turqi dhe i kemi siguruar ata se jemi të gatshëm të kontribuojmë në çdo mënyrë”, tha ai.

Fidan ndodhet për një vizitë dy-ditore në Moskë, ku të hënën u takua me presidentin rus Vladimir Putin.

Më herët këtë muaj, delegacionet nga Rusia dhe Ukraina u takuan në Stamboll për herë të parë që nga viti 2022.

Takimi në Stamboll zbuloi se të dyja palët mbetën larg njëri-tjetrit për sa i përket kushteve kryesore për t’i dhënë fund luftimeve. Një kusht i tillë për Ukrainën, e mbështetur nga aleatët e saj perëndimorë, është një armëpushim i përkohshëm si hap i parë drejt një zgjidhjeje paqësore.

Udhëheqësit evropianë e kanë akuzuar Putinin se po zvarrit përpjekjet për paqe, ndërsa përpiqet të shtyjë përpara iniciativën e ushtrisë së tij më të madhe në fushën e betejës dhe të pushtojë më shumë tokë ukrainase.

Rusia gjithashtu ngriti të njëjtat akuza ndaj Ukrainës. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, akuzoi të martën Ukrainën për minimin e përpjekjeve për paqe duke nisur një seri sulmesh me dronë ndaj Rusisë këtë muaj.

“Ky veprim i Kievit bie ndesh me aspiratat për një proces paqeje”, u tha ai gazetarëve. Peskov përshëndeti përpjekjet e SHBA-së për paqe, duke thënë se “amerikanët dhe Presidenti (Donald) Trump kanë ndjekur një qasje mjaft të ekuilibruar”.

“Është e qartë se palët ruse dhe amerikane nuk duhet dhe nuk mund të bien dakord për gjithçka, disa mosmarrëveshje do të mbeten gjithmonë, por ekziston vullnet politik për të zbatuar marrëveshjet e arritura dhe puna po vazhdon”, tha Peskov.

Në të njëjtën kohë, Peskov kritikoi Evropën për vazhdimin e furnizimit me armë për Kievin, duke vënë në dukje se me këtë, Evropa është përfshirë indirekt “në luftën kundër Rusisë”, duke shtuar se kjo “nuk ndihmon në asnjë mënyrë zgjidhjen e paqes” në Ukrainë.

Ndërkohë, durimi i Trump duket se po shteron. Në një postim në platformën e tij të mediave sociale, Truth Social, presidenti amerikan e paralajmëroi homologun e tij rus se po “luan me zjarrin” mes sulmeve të ripërtërira dhe bisedimeve të ngecura të paqes.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb