Një valë zemërimi popullor po përhapet në Iran, me regjimin në Teheran që përgjigjet me kërcënime dhe shtypje të ashpër, ndërsa SHBA- të thuhet se po shqyrtojnë kryerjen e një sulmi ndaj Iranit nëse është e nevojshme për të zbatuar paralajmërimet e Trump.

Më shumë se 1.5 milion iranianë raportohet se kanë dale sërish në rrugë, si pjesë e protestave më të mëdha antiqeveritare në vitet e fundit, ndërsa Trupat e Gardës Revolucionare Islamike kanë fajësuar “terroristët” për trazirat dhe kanë deklaruar se do të mbrojnë sistemin qeverisës.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump , i cili ka kërcënuar vazhdimisht me ndërhyrje ditët e fundit, shkroi në mediat sociale të shtunën: “Irani po sheh liri, ndoshta si kurrë më parë. SHBA-të janë gati të ndihmojnë!!!”

Ka pasur raportime të reja për dhunë në të gjithë Iranin, megjithëse ndërprerja e aksesit në internet e bën të vështirë vlerësimin e plotë të shkallës së trazirave. BBC raporton se 110 persona humbën jetën në një nga spitalet e Teheranit dje. Bazuar në këtë, vlerësimet janë se më shumë se 2,000 njerëz kanë humbur jetën që nga fillimi i protestave më 28 dhjetor.

Mediat shtetërore raportuan se një ndërtesë bashkiake iu vu flaka në Karaj, në perëndim të Teheranit, duke fajësuar “rebelët”. Televizioni shtetëror transmetoi pamje nga funeralet e anëtarëve të forcave të sigurisë, të cilët, sipas tij, u vranë gjatë protestave në qytetet Shiraz, Qom dhe Hamadan.

Protestat janë përhapur në të gjithë Iranin që nga 28 dhjetori, duke filluar si një reagim ndaj inflacionit në rritje dhe duke u shndërruar shpejt në politike, me demonstruesit që kërkojnë fundin e sundimit klerikal. Autoritetet akuzojnë Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin për nxitjen e trazirave.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb