SHKODER- Dhjetëra qytetarë janë mbledhur paraditen e sotme para Gjykatës së Apelit në Shkodër, ku pritet të jepet vendimi për 11 kuksianët që ndodhen pas hekurave pas protestës në “Rrugën e Kombit”. Sipas raportimeve të gazetares Klodiana Lala për “BalkanWeb” nga Shkodra, janë 150 efektivë policie që ndodhen pranë Gjykatës ku përfaqësues të opozitës kanë paralajmëruar një tubim.
Protesuesve, mes të cilëve janë edhe familjarët e të arrestuarve, u janë bashkuar edhe deputetë të opozitës, si dhe përfaqësues të Shoqërisë Civile.
Me thirrjet “Lironi vëllezërit tanë”, ata kanë hedhur tymyese në drejtim të Gjykatës, dhe fishekzjarrë.


Duke folur për gazetarin e ‘News24″, Senad Nikshiqi, ata thonë se qytetarët kuksianë duhet të lirohen.
“Po bëhen 30 vjet kur Ruçi ka dhënë urdhër me tanksa në Shkodër. Dënimet komuniste nuk e trembin Shkodër. U bëjmë apel gjithë qytetarëve, anti-komunistëve, që të vijojnë protestat, deri në rrëzimin e kësaj qeverie komuniste”, shprehet një protestues.
Një tjetër qytetar kërkon lirimin e protestuesve, ndërsa bën thirrje për rrëzimin e qeverisë Rama.


“Sot po e ndjejmë zërin e qytetarëve në mbështetje të këtyre qytetarëve. Rama është i padrejtë, i pandershëm. Po dhunojnë qytetarët. Sot duam lirimin e këtyre qytetarëve të pafajshëm. Nëse këta qytetarë duan të shpëtojnë nga kjo situatë, duhet të largojmë Ramën, këtë komunist. Nëse duan qytetarët, e largojnë menjëherë”, thotë qytetari shkodran.
Kujtojmë se sipas vendimit që u dha në Gjykatën e Tiranës, por nga gjyqtarë të Kukësit, u lanë në burg: Xhevahir Hereni, Elton Cenku, Florin Onuzi, Shkëlqim Vata, Xhevahir Gashi dhe Elvis Oruçi, Rasim Onuzi, Abdi Haziraj dhe Vasil Laçi, Edmond Matmuja dhe 20 ditë burg për Shpëtim Totën.
Gjykata vendosi detyrim paraqitjeje për Ahmet Toblin, Lulzim Popën, Saimir Trotën, Lefter Rexhmatin, Adem Durakun dhe Armand Ademin, Ardit Alidinin, Zenel Matmujan, Fatos Harullën, Rasim Koloshin dhe arrest shtëpie për: Shaban Selmanin dhe Shemsi Trotën.





(BalkanWeb)
