I dënuari për 4 vrasje, Altin Ndoci është arratisur sot nga spitali i Durrësit, teksa ishte dërguar për t’u vizituar tek infektivi. Ai ishte pjesë e grupit kriminal të Çopjave, të Elbasanit.
Altin Ndoci u akuzua nga SPAK për 4 vrasje në Durrës, përfshirë edhe ekzekutimin e vëllezërve Besmir dhe Viktor Haxhia.
Por si u zbuluan krimet e Altin Ndocit?
Rrëfimi i 22-vjeçarit K.A. çoi në zbulimin e një grupi kriminal me origjinë nga Puka, i cili dyshohet se ka vepruar në trafikun e drogës dhe grabitje të armatosura në zonat e Durrësit, Fierit dhe Tiranës. A.K., personi i parë i arrestuar, u vu nën presion pasi u identifikua përmes gjurmëve të gishtave dhe njollave të gjakut të gjetura nga policia në një automjet tip “Toyota”, i braktisur nga autorët e ngjarjeve.
Pas këtyre provave, ai pranoi të bashkëpunojë me policinë kriminale dhe prokurorinë, duke dhënë detaje konkrete, emra dhe rolet e secilit pjesëmarrës në vrasjen e dy vëllezërve Haxhia në qytetin e Durrësit.
Dëshmia e 22-vjeçarit ka hedhur dritë edhe mbi një tjetër ngjarje të rëndë kriminale, atë të ekzekutimit të Dorjan Shkozës dhe Anxhelo Avdisë, më 2 mars 2020, po në Durrës. Në bazë të këtyre deklarimeve, policia arrestoi në Tiranë Altin Ndocin, me origjinë nga Puka dhe banues në kryeqytet. Ndërkohë, katër persona të tjerë janë shpallur në kërkim, pasi dyshohet se kanë marrë pjesë në katër vrasje të ndodhura brenda më pak se dy muajsh në Durrës.
Sipas burimeve pranë Policisë së Shtetit, Altin Ndoci kishte njohje dhe lidhje me viktimat Besmir dhe Viktor Haxhia. Kjo lidhet jo vetëm me dyshimet për përfshirje në aktivitetin e trafikut të drogës, por edhe me faktin se Ndoci dhe vëllezërit Haxhia ishin nga e njëjta zonë, ajo e Pukës.
Një nga të arrestuarit, Altin Ndoci, rezulton gjithashtu të ketë lidhje shoqërore me Arben Muçon, i cili u arrestua në vitin 2018 në Fier për tentativë grabitjeje me armë ndaj familjes së Minella Muçit dhe për tentativë vrasjeje ndaj punonjësve të policisë.
Aktualisht, policia po verifikon rolin e Altin Ndocit në këtë ngjarje, ku grabitja dështoi falë reagimit të shpejtë të policisë së Fierit. Gjatë shkëmbimit të zjarrit mbeti i vrarë 20-vjeçari Xhuljan Sollaku, ndërsa Arben Muço u plagos dhe u arrestua. Personat e tjerë që ndodheshin me ta atë natë të marsit 2018 arritën të largohen dhe vijojnë të jenë ende në kërkim nga policia.
