Katër shtetasit e arrestuar tre ditë më parë,si të dyshuar për zjarrëvënie në zona të ndryshme të qytetit të Berat, kanë mbërritur paraditen e sotme në Gjykatën e Shkallës së Parë të Jurisdiksionit të Përgjithshëm Berat, për tu njohur me masën e sigurisë.Zaçe Merkaj, Safet Dodoveci,Safet Manaj dhe Lefter Begaj u arrestuan për veprën penale “Shkatërrim prone me zjarr”, parashikuar nga neni 151 i Kodit Penal.

Sipas hetimeve paraprake, këta shtetas dyshohet se janë përgjegjës për ndezjen e zjarreve që përfshinë sipërfaqe të mëdha në zona të ndryshme të Beratit.

Pas shqyrtimit të fakteve dhe rrethanave, Prokuroria e Beratit,ka kërkuar për ta caktimin e masës së sigurisë “Detyrim Paraqitje”, kërkesë kjo e pranuar dhe vendosur për të 4 të akuzuarit nga gjyqtari Ervis Koxhaj.

Ndërkohë që hetimet për këto katër çështje do të vijojnë,policia po punon për të identifikuar edhe persona të tjerë të përfshirë në ndezjen e zjarreve në zonat me rrezikshmëri të lartë në qarkun e Beratit.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb