Studentja Samanta Toçka, e cila u bë virale me fjalimin e saj kundër kryeministrit Edi Rama, e ftuar në News24 ka bërë thirrje për pjesëmarrje masive në protestën e nesërme në Tiranë.

Ajo u shpreh se kryeministri ka mbjellë frikë, por se studentët nuk duhet të frikësohen. Toçka vlerësoi përfshirjen e pedagogëve dhe të mjekëve, duke theksuar se studentët nuk duhen lënë vetëm në kauzën e tyre. Ajo akuzoi Ramën se po ushqen dhunën për të ruajtur pushtetin dhe se ftesat e tij për dialog kanë karakter ironik.

Duke theksuar se protesta mbetet studentore, Toçka tha se çdo qytetar ka të drejtë t’i bashkohet asaj, pavarësisht bindjeve politike. “Ka katër muaj që Rama nuk është më kryeministri im”, deklaroi studentja, duke shtuar se ai do të mbahet mend si një nga figurat më të errëta, për shkak të veprimeve të tij për të mbajtur pushtetin.

Studentja Samanta Toçka: Besoj se ka një tërheqje të vogël të studentëve, për shkak të frikës që po mbjell kryeministri i vendit, Edi Rama.

Përfshirja e pedagogëve dhe e mjekëve është gjë e mirë, sepse studentët nuk duhen lënë vetëm. Nesër duhet të jenë të gjithë në shesh, edhe qytetarët e thjeshtë, edhe ata që kanë një biznes të vogël, edhe profesionistët e çdo fushe. Ky është një kryeministër i rrjeteve sociale. Na fton në dialog në formë ironike. Edhe prindërit kanë ndërhyrë te studentët, duke parë dhe reagimin e kryeministrit. Prindërit duan të mbrojnë fëmijët edhe nga dhuna në komisariate.

Kryeministri nuk mund të merret me protestuesin individualisht, sepse kauza jonë është kombëtare. Të hedhë sytë nga kabineti i vet, që i ka në hetim, që kanë vjedhur në kurriz të popullit shqiptar. Rama e ka përdorur Policinë në mënyrën më të dhunshme të mundshme. Ka humbur besimi që kemi edhe për Policinë, sepse nuk bëjmë dot kallëzime ndaj policit. Në lidhje me përfshirjen e PD, ne nuk e përjashtojmë edhe një anëtar të Partisë Demokratike që të protestojë, sepse dhe ai është qytetar. Por protesta është studentore.

Ka katër muaj që Rama nuk është më kryeministri im. Ai për një karrige po ushqen dhunën dhe do ngelet një nga figurat më të errëta ndonjëherë, që për pushtet individual bën gjithçka. Për protestën e nesërme do ketë pjesëmarrje masive. Unë dhe asnjë student nuk duhet që të frikësohet, ne nuk duhet të heshtim.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb